Reportazh/ Ne Ferizaj, Tek "Kerthiza" E Shqiptarise
FERIZAJ, 4 Korrik/ATSH-R.Hoxha./- "Morini është edhe portë e bashkimit, por edhe portë e vëllazërimit. Këtë e ka fituar në pranverën e vitit '99", më thotë doganieri Lemsedin Hysamedini nga Dragashi, sapo kalojmë kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, ndërsa i nxehti i këtyre ditëve nuk ka ulur fluksin e lëvizjes mes dy anëve ku banojnë shqiptarët.
Ndërsa lëvizja në doganën e Morinit, vetëm 20 kilometra larg Kukësit dhe 16 km larg Prizrenit në Kosovë, tashmë është gjë e zakonshme ku fluksi i automjeteve në të dy anët e kufirit nuk ka të ndalur. Gjithçka është ndryshe nga 20 vjet më parë, kur trau i doganës i bënte njerëzit t'u dridheshin këmbët, ndërsa kufirin shtetëror Shqipëri-Kosovë pak kush e kalonte.
Udhëtimi përmes fushës së pamatë të Kosovës nuk ka asgjë të vecantë. Bile as në qafën e Duhles, ku në vjeshtën e vitit 1912 dhanë jetën 37 lumjanë duke mbrojtur tokën shqiptare, vec dhjetra kosovarëve.
"Beteja e qafës së Duhles nuk harrohet lehtë, jo se aty shqiptarët mbrojtën trojet e tyre, por sepse aty vazhdojnë t'i kenë varret e tyre dhjetra shqiptarë nga vise të ndryshme të Shqipërisë", më thotë historiani Bashkim Sefedini nga Ferizaj. "Qafa e Duhles ka histori që nuk harrohet. Jo vetëm për vitin 1912, por edhe të 13-ës, apo të 19-ës",- kujton historiani i Ferizajt që ka dëshirë të tregojë për varret e vjetra e të reja të shqiptarëve.
"Ferizaj është kërthiza e shqiptarisë, këtë askush nuk mund ta mohojë", thotë Bashkimi.
-Ferizajt, qyteti ku nuk ndihet asnjë krizë-
Ferizaj është qyteti i 3 më i madh i Kosovës, pas Prishtinës e Prizrenit, ku jetojnë më së shumti shqiptarë, pasi janë të paktë banorë të komuniteteve të tjera. "Ka mbetur kështu, se jemi krejt shqiptarë, bile edhe me 200 ashkalijtë nuk na ndan gjë, veçse ata mundësojmë krijimin e shumëetnicitetit", thotë specialisti i zyrës së marrëdhënieve me publikun në komunën e Ferizajt Islam Petkaj, që jep dhe të dhëna të tjera, për qytetin që ka një popullsi prej 160 mijë banorë, ndërsa si qytet, 68 mijë banorë.
Biznesmeni Behar Topalli thotë se Ferizaj është qyteti ku kriza ndjehet më pak në Kosovë. "Kemi të punësuar aktualisht te Binsfeld-i mbi 2000 persona, ndërsa te kampi grek i KFOR-it mbi 500 persona. Nuk janë pak në këtë kohë krize", thotë Behari.
Në Kosovë, qyteti i Ferizajt ka nivelin më të ulët të papunësisë. "Kjo është edhe arsyeja që në qytet janë në funksionim mbi 100 bastore", thotë Islam Petkaj, që me pak nota humori, shton se Ferizaj është qytet i qejfit. "Vetëm në qytet ndodhen mbi 100 bastore (lloto sporti).
"Kjo është kohë e fitimit të bastorevere, pasi këtu luajnë me fatin jo vetëm burrat, por edhe gratë", thotë Islami, që është dhe pronar i njërit prej tyre. Çdo ditë janë me dhjetra që humbasin nga 100 - 500 euro. "Mirë burrat, po gratë cfarë kanë t'i lënë eurot në bastore", qesh Islami.
"Pse kjo dukuri?, e pyesim. "Është zakon i vjetër, se te ne janë njëlloj si gratë, edhe burrat. Është punë e transmetimit të historisë", thotë Islami.
Të njëjtën gjë pohon edhe Vlora, punonjësja e bibliotekës në qendër të qytetit, që nuk ka humbur asgjë nga pasuria që ka patur, bile nuk u prek as në pranverën e vitit '99. "Tani nuk kemi ndonjë investim, por i kemi të gjitha librat prëj 60 vitesh , kemi mbi 270 mijë tituj librash", thotë Vlora.
Në këtë qytet cuditesh kur më thonë se ka edhe mbi 200 kafeteri, kryesisht për të rinjtë, që qëndrojnë celur gjithë natën dhe deri tani nuk ka ndodhur të ketë grindje.
Ferizaj ka 80 lokale të tregtimit të bizhuterive. "Kështu është te ne, të gjithë shlyejnë detyrimet, ndaj nuk i detyrojmë të falimentojnë as lokalet e bizhuterisë, as bastoret", thotë Hermegan Haliti, punonjës në zyrën e tatim taksave të qytetit.
Ndërsa në mbrëmje qendra e tij i mbledh të gjithë pranë vetes. Si për të bërë llogaritë e ditës. Se ferizajasit janë edhe tregtarë të mirë.
- Ferizaj, qyteti që mbledh turistët-
Ferizaj mbledh në mbrëmje jo pak turistë, pasi përreth ka shumë pika turistike të njohura jo vetëm të Kosovës, por edhe nga Maqedonia, apo Bosnja e Kroacia.
Një prej tyre është edhe Raznjatovici nga Serbia, që tregon se cdo vit frekuenton në verë Jezercën, hotelin turistik aq i njohur në trevat e ish- Jugosllavisë. Ai thotë se nuk do t'ia dijë për politikën, ndërsa ka shok e mik Fatmirin, pronarin e hotel "Ujvara" në Burnek.
Në zonën e Ferizajt janë të shumta hotelet turistike që këtë periudhë frekuentohen me shumicë. Janë të njohur hotelet e Prevallës, të Jezercës, Kacanikut, Brezovicës, Burnekut (ku më I njohuri është (Hollivudi), "Gjyla" "Freskia" etj.
Nuk është vetëm turizmi që e ka bërë Ferizajn ndër qytetet më të zhvilluara të Kosovës. Është edhe industria, ku më të njohura janë fabrika e tubave, të prodhimit të vajit të lulediellit "Elkosi', Benhafi etj. "Te ne treguesi i papunësisë është më i ulti në Kosovë", thotë Petkaj.
Edhe pase janë ditë të mira për ferizajasit, ata nuk harrojnë dëshmorët. "Nuk i harrojmë dhe këtë e tregojnë lapidarët e shumtë", thotë Hysen Ratkoveci, veteran dhe i gjymtuar, që tregon se Ferizaj ka 100 dëshmorë, vec 40 të gjymtuar e të plagosur. "Prej atje ka nisur rrugëtimi ynë drejt pavarësisë",- thotë Hyseni.
Ndërsa aty në qendër të qytetit ku ujrat e shatërvanit ngrihen lart, fëmijët luajnë pa ditur se vetëm 12 vjet më parë baballarët e tyre me lot në sy largoheshin nga vatra pa ditur se ku do shkonin. Tani gjithcka ka ndryshuar, gjithcka është ndryshe, që nga sheshi afër qytetit, ku është ngritur kampi i stërmadh i binsfeld-it./n.m/