Shkodra Perfshihet Ne Garen Rally Malazez
SHKODËR, 4 Korrik/ATSH-G. Marku/- Mbi 30 makina të tipeve sportive të ardhura nga Mali i Zi kanë zbarkuar në qytetin verior ditën e sotme duke tërhequr vemendjen e qytetarëve shkodranë. Grupi organizator i Rally-it malazez së bashku me drejtuesit e pushtetit lokal, gjatë një prononcimi për median kanë bërë të ditur qëllimin e ardhjes së tyre. Luka Maksimoviç, drejtues i këtij aktiviteti, tha se Rally malazez organizohet për të 11-tin vit me radhë nga Federata malazeze e garave me makina.
"Këtë radhë preferuam që në itenerarin dhe etapat e këtij edicioni të përfshijmë edhe pjesë të territorit shqiptar me qëllim që edhe pjesëmarrësit e kësaj gare të njihen më nga afër me historinë dhe relievin shqiptar", u shpreh drejtuesi malazez Luka Maksimoviç.
Maksimoviç bëri të ditur gara në fjalë, e cila ka nisur nga Nikshiqi, ka përshkuar Ulqinin për të ardhur më pas në Shkodër. Ai shtoi se pjesë e këtij itenerari janë edhe disa zona malore të qarkut verior të Shkodrës, nga ku më pas konkurentët së bashku me shoqëruesit e tyre do të provojnë edhe garen në rrugën e re Podgoricë - Plavë në kufi me Shqipërin, 50 kilometër e gjatë, në afërsi të lumit Cem. "Ne po përpiqemi që të ndikojmë sa më shumë në rikthimin e një tradite të mirëfilltë që ka patur Mali i Zi me Shqipërinë dhe në veçanti Podgorica me Shkodrën. Kjo ka qënë para së gjithash dëshira dhe synimi i organizatorëve kur propozuam që të futej edhe Shkodra si pjesë përbërëse e itenerarit të Rally malazez, një garë kjo që në shtetin fqinj të Malit të Zi pëlqehet shumë nga opinioni qytetar e më gjërë", tha Maksimoviç. /a.ke/