English

Thaçi: Perkrahja E Shba Per Kosoven, Historike Dhe Vendimtare

PRISHTINË, 4 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Përkrahja amerikane për Kosovën është historike dhe vendimtare, thekson Kryeministri Hashim Thaçi në mesazhin drejtuar sot presidentit të SHBA, Barack Obama dhe popullit amerikan me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA. "Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emerin tim, Ju shpreh urimet më të sinqerta. Kjo ditë shënon një arritje madhore për popullin amerikan, për shtetin tuaj dhe mbarë botën demokratike", thuhet në mesazh. Më tej shtohet se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë sinonim i demokracisë së zhvilluar, vend i progresit tekonologjik dhe bartës të vlerave universale politike, humanitare dhe të sigurisë globale" dhe se "vlerat e shpirtit amerikan frymëzojnë popuj, kombe dhe shoqëri anembanë botës". "Kontributi i SHBA në përkrahjen e luftës së drejtë të popullit të Kosovës është historik dhe vendimtar, gjë që ka krijuar respekt të lartë dhe besim të patejkalueshëm në mesin e qytetarëve tanë", theksohet në përgëzimin e kryeministrit Thaçi. "Besimi dhe miqësia e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj në vlerat e shoqërisë amerikane është udhërrëfyes i shoqërisë sonë të lirë. Kontributi i SHBA në forcimin dhe afirmimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, është i pazëvendësueshëm", thekson më tej Kryeministri kosovar. /a.ke/
KOMENTE