English

Topalli: Liberalizimi I Vizave, Prioritet I Qeverisë

TIRANE, 4 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit jopublik "Justiniani i Parë", vlerësoi si prioritetin kryesor të qeverisë, liberalizimin e vizave, që sipas saj, do të realizohet këtë vit. "Prioriteti ynë kryesor gjatë gjithë kësaj periudhe, ka qenë liberalizimi i vizave që do të realizohet këtë vit dhe në të njëjtën kohë bashkimi i Shqipërisë me familjen europiane", deklaroi Topalli. E ftuar dje pasdite në ceremoninë e ndarjes së diplomave të brezit të parë të studentëve të Universitetit jopublik "Justiniani i Parë", Topalli tha se arsimimi dhe edukimi i të rinjve për një karrierë të sukseshme të tyre mbetet prioritet i qeverisë dhe i reformave ligjore në Parlament. Duke shprehur konsideratën më të thellë për guximin dhe aspiratat e të rinjve shqiptarë që ndryshuan faqen e historisë së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje të studentëve diplomantë, bashkëmoshatarët e tyre të 2 korrikut të vitit 1990. "Një ditë më parë ne përkujtuam 2 korrikun 1990, këtë ditë madhështore, kur mijëra të rinj, si ju, të moshës suaj si ju, thyen muret e izolimit, shpërthyen dyert e ambasadave perëndimore në kërkim të lirisë. Ishte guxim mbinjerëzor, guxim dhe energji që vetëm ju, ju të rinjtë e keni. Dhe sot, pas 20 vitesh, ne jemi më shumë se kurrë pranë ëndrrrës europiane të atyre të rinjve, nëpër botë, kudo ku ata janë", deklaroi Topalli. 300 studentë në disiplinën e së drejtës do t'i bashkohen mijëra të rinjve të tjerë shqiptarë, të diplomuar si juristë, avokatë dhe ekspertë të së drejtës në Shqipëri. /a.ke/
KOMENTE