Bashkëpunimi Rajonal, Element Kuç Për Thellimin E Demokracive Të Vendeve Të Ballkanit
-Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Meta në Takimin e Nivelit të Lartë të Komunitetit të Demokracive në Krakov (Poloni)-
TIRANE 5 Korrik/ATSH-/ "Bashkëpunimi rajonal është një element kyç në thellimin e shkallës së demokratizimit të shoqërive të vendeve të rajonit të Ballkanit dhe që do të shkurtojë rrugëtimin e këtij rajoni drejt integrimit të plotë në BE", u shpreh Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta në Takimin e Nivelit të Lartë të Komunitetit të Demokracive, që u mbajt në Krakov (Poloni).
"Ky bashkëpunim duhet të kapërcejë nivelin e dialogut politik dhe fqinjësisë të mirë dhe të shndërrohet në një proces më dinamik në të gjitha fushat me interes të përbashkët, ku përpjekjet e qeverive të rajonit duhet të përfshijnë kryesisht bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në sektorët strategjik me impakt rajonal", deklaroi Meta.
Sipas zyrës së shtypit të MPJ, Meta bëri një ekspoze të sfidave, me të cilat ballafaqohet demokracia sot, duke theksuar se "qeverisja e mirë" qëndron në themel të ndërtimit dhe funksionimit të çdo shoqërie demokratike dhe përbën një nga prioritetet kryesorë të qeverisë shqiptare në funksion të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit".
Meta u ndal edhe tek rëndësia e veçantë që ka partneriteti konstruktiv mes qeverisë, biznesit dhe shoqërisë civile në hartimin e një axhende qeverisëse, pasi sipas tij, "jo vetëm do të sjellë zhvillim ekonomik dhe prosperitet social, por edhe forcimin e një demokracie të qëndrueshme, ku qytetarët çdo ditë edhe më tepër ndihen pjesë e vendimmarrjes".
Takimi i Nivelit të Lartë i Komunitetit të Demokracive përkon me 10-vjetorin e themelimit të Komunitetit të Demokracive.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Meta zhvilloi një sërë takimesh me homologët nga Kanadaja, Indonezia, Sllovakia, Bullgaria, Gjeorgjia, Tailanda, Mongolia etj.
Në fokus të bisedimeve ishte progresi i Shqipërisë në reformat demokratizuese dhe proceset integruese, çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, bashkëpunimi rajonal dhe kontributi i Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Komuniteti i Demokracive është një koalicion global ndërqeveritar i vendeve demokratike, i cili ka si qëllim promovimin e parimeve demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve demokratike në të gjithë botën. /a.gjonaj//n.m/