Tiranë, 5 korrik, NOA – Kryeministri Sali berisha deklaroi sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, se koalicioni i zgjedhjeve të 28 qershorit ia doli mbanë t’i përmbahet të gjitha parimeve të bashkëpunimit dhe respektimit të kohezionit social në të mirë të interesave të të gjithë shqiptarëve.
Sipas Berishës, është kauza evropiane projekti i të gjitha projekteve, ku do të mbështetet dhe promovohen të gjitha reformat ekonomike në vazhdim.
Kreu i mazhorancës Sali Berisha, bëri sot një pasqyrë të rritjes së të ardhurave në ekonominë tonë, një rritje që sipas tij, solli edhe vendimin e mazhorancës për rritjen e pensioneve dhe pagave, në fillim të muajit korrik.
“Kur ekonomia botërore dhe ajo evropiane, përballet me vështirësi, është jashtë çdo lloj imagjinate, që kjo të mos pasqyrohet edhe në ekonominë shqiptare, por unë ju informoj se ekonomia jonë reale është shumë e mirë dhe se ajo është rritur ndjeshëm në këtë gjashtëmujor të parë të vitit.
Sipas kryeministrit berisha bilanci i të ardhurave nga eksportet Made in Albania është për këtë gjashtëmujor 39.39 miliardë, pra thuajse i trefishuar nga ai i të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërsa eksportet me materiale të importuara kapin vlerën e 42 miliardëve.
Shefi i qeverisë tha se kjo rritje eksportesh nuk ka ekzistuar kurrë më parë në vend dhe në total ato llogariten në vlerat e 81 miliardë e 750 milionë lekëve, duke dëshmuar kështu një shkëputje të thellë në zhvillimin e industrisë në vend, për rrjedhojë edhe të rritjes së të ardhurave prej saj.
Kryeministri theksoi se dyshifrore është edhe rritja e tregëtisë, transporteve, ndaj tha më tej ai, vendimi për të rritur pagat dhe pensionet ishte i mbështetur fuqishëm në shifrat reale të të ardhurave në fondet e administratës. Vijon...