Berisha: Nuk Janë Prekur Kursimet E Shqiptarëve Për Rritjen E Rrogave Dhe Pensioneve
- Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha i konsideron të pabaza akuzat e opozitës mbi situatën ekonomike në vend -
TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se "për rritjen e rrogave dhe pensioneve nuk janë prekur kursimet e shqiptarëve".
Duke e konsideruar tërësisht të pabazë reagimin e opozitës për rritjen e pensioneve, Kryeministri Berisha tha se ekonomia shqiptare është në një situatë mjaft të mirë dhe eksporti ka shënuar rritje si asnjëherë tjetër.
"Kam ndjekur me vëmendje reagimet e opozitës ndaj vendimit për rritjen e pensioneve. Të reagosh në këtë mënyrë, do të thotë të shohësh botën nga kullat e Fidelit. Në vend që t'i kërkojë qeverisë të bëjë çdo përpjekje për të rritur rrogat dhe pensionet, opozita shpall se kjo rritje përbën një krim ekonomik", tha Berisha, duke theksuar se "kjo bëhet jashtë çdo lloj qëndrimi opozitar".
Për t'iu kundërvënë politikës sociale të domosdoshme të rritjes së pensioneve, sipas tij, "opozita ka bërë gafa të pafalshme, pasi ka deklaruar se qeveria po përdor për rritjen e tyre 70 për qind të kursimeve të shqiptarëve".
Kreu i Qeverisë siguroi se "që kur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri nuk ka prekur qoftë edhe një qindarkë të vetme nga kursimet e tyre, gjë të cilën e kanë bërë çdo vit qeveritë paraardhëse".
Berisha informoi se të ardhurat totale të 6-mujorit të parë të 2010 janë 151.7 miliard lekë, pra tre herë më të mëdha se fondi i pagave të kësaj administrate.
Kryeministri tha se "të ardhurat tejkalojnë fondin vjetor të rrogave dhe pensioneve së paku me 70 për qind më shumë.
"Ne e gjetëm borxhin 72 për qind nga qeveritë e mëparshme dhe e kemi aktualisht në nivelin e 59.5 për qind", tha Berisha.
Ai ftoi ministrin e Financave që të paraqesë të gjitha të dhënat në komisionin e Ekonomisë, duke u bërë disponibël deputetëve të gjithë bilancin e të ardhurave në këtë 6 mujor si dhe shpenzimet, të cilat do të reduktohen.
Duke informuar se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të merret vendimi për rritjen e rrogave, Kryeministri ftoi opozitën ta mbështesë këtë politikë të qeverisë.
"Vendimi i maxhorancës për të rritur rrogat dhe pensionet bazohet dhe mbështetet fuqishëm nga treguesit ekonomik të vendit", tha Kryeministri Berisha duke informuar mbi bilancin e 6-mujorit të parë të 2010.
Ai nënvizoi se "eksportet Made in Albania për 6 mujorin e parë të vitit 2010 janë rritur në 39 miliard e 545 milionë lekë, në një kohë kur në 6- mujorin e parë të vitit 2009 ishin gjithsej 15 miliard e 270 milionë lekë".
"Eksportet në materiale të importuara kapin vlerën 42 miliard e 206 milionë lekë, kundrejt 32 miliard e 236 milionë që ishin në 6-mujorin e parë të 2009. Në total, eksportet shqiptare në 6-mujorin e parë të këtij viti, arrijnë në vlerat 81 miliard e 751 milionë lekë, kundrejt 48 miliard e 506 milionë lekë që ishin vitin e kaluar", tha Berisha.
Një rritje të tillë të eksporteve, sipas Kryeministrit Berisha nuk ka regjistruar asnjë vend tjetër deri më sot, përveç atyre vendeve që janë prodhuese dhe eksportuese të naftës dhe gazit. /n.m/