English

Berisha, opozitës:Të ardhurat 151.7 miliardë, asnjë qindarkë s’preket nga kursimet e shqiptarëve

Tiranë, 5 korrik, NOA Update – Shefi i mazhorancës, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor të Partisë Demokratike, pikërisht për rritjen e të ardhurave që vunë në jetë premtimin e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve, i quajti deklarimet kundërshtuese të opozitës sa i përket këtij vendimi të marrë një shpirtkazmëri të pashembullt dhe një ikje nga idetë e opozitës së majtë, që mbështesin gjithnjë vendime të tilla sociale.

“Kam ndjekur reagimet e opozitës ndaj këtij vendimi, dhe të reagosh kështu, do të thotë ta shohësh botën nga kullat e Fidelit. Nuk mund ta kuptoj se si mund të ngrihet opozita ndaj këtij vendimi, duke e quajtur krim rritjen e pensioneve. Kjo është shpirtkazmëri e pashembullt”, deklaroi kryeministri Berisha, lidhur me deklarimet e njëpasnjëshme të liderit të opozitës dhe deputetëve të PS-së.

Kreu i mazhorancës, theksoi se pikërisht këto dalje për të shpallur si krim ekonomik rritjen e pagave dhe pensioneve, të aq mijëra burrave e grave me pensione shumë më të vogla se sa meritojnë, është jashtë çdo lloj llogjike dhe dhimbjeje njerëzore, por edhe jashtë çdo qëndrimi opozitar.

Duke iu referuar kësaj kundërvënieje të opozitës ndaj një vendimi dhe politike sociale të nevojshme, Berisha iu drejtua opozitës si ndjekësve të flaktë të parimeve të Engelsit dhe Marksit.

Kryeministri Sali Berisha mbrojti politikën ekonomike të ndërmarrë nga mazhoranca, përkundrejt sulmeve të opozitës, duke i cilësuar daljet publike të saj për të deklaruar se “për rritjen e pensioneve kjo qeveri po merr 70 përqind të kursimeve të shqiptarëve”, si një gafë të pafalshme të opozitës.

“Unë dua t’ju informoj, se kjo qeveri nuk ka prekur qoftë dhe një qindarkë nga kursimet e shqiptarëve, çka e kanë bërë prore qeveritë e mëparshme. Unë ju raportoj ju për të ardhurat totale të 6 mujorit të parë, të këtij viti, të cilat janë 151.7 miliardë lekë, dhe po shkojnë drejt trefishimit të fondit të pagave të administratës, muajin që vjen”, deklaroi Berisha.

Kryeministri ripërsëriti se “As edhe një qindarkë e vetme s’po përdoret nga kursimet”.

Kreu i qeverisë e ftoi opozitën t’i referohet të dhënave të bankave.

Rishtas shefi i qeverisë, Berisha, theksoi se të ardhurat kanë tejkaluar fondin e pagave dhe pensioneve së paku me 70 përqind, ndërkohë që kursimet e përdorura më parë nga qeveritë socialiste lanë atë borxh të lartë të shtetit, “si një fëmijë natyral”, sikundër e cilësoi Berisha, që sipas tij ishte 72 përqind.

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi ministrit të Financave, Ridvan Bode të vërë në dispozicion të opozitës të gjithë dokumentacionin që dëshmon rritjen e të ardhurave dhe deklaroi se në buxhetin e ri do të ketë shkurtime të ndjeshme.

Kryeministri Sali Berisha tha se “Mbledhja e ardhshme e qeverisë do të vendosë për rritjen e rrogave, pas rritjes së pensioneve në 1 korrik”.

mit/NOA

KOMENTE