English

Deti Mesdhe - Samit Ndërmjet Gjashtë Vendeve Nga Be Për Planin E Monitorimit

- Janë mbledhur në Romë për të shqyrtuar projektin "Bluemassmed" - ROMË, 5 korrik /ATSH-ANSA/ - Një monitorim më i mirë dhe vigjilencë detare në më shumë se 2 500 000 kilometrat katrorë të brigjeve të Mesdheut është objektivi i Projektit Evropian "BlueMassMed" (Blue Maritime Sorveillance System Med), që përdor teknologjitë më të fundit satelitore. Në krye të punës është admirali Jean Marie Van Huffel, i Sekretariatit të Përgjithshëm Francez për Punët Detare. Për këtë çështje, mëngjesin e sotëm, pranë Qendrës Logjistike të Guardia di Financa në Romë, ka nisur një konferencë në të cilën marrin pjesë delegatët e gjashtë vendeve anëtare të BE-së të cilat lagen nga ujërat e Detit Mesdhe (Italia, Franca, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Malta). Në orën 12 do të ketë edhe një konferencë për shtyp. Mesdheu lag brigjet e 23 vendeve evropiane, afrikane dhe aziatike. Për Bashkimin Evropian përbën kufirin jugor të karakterizuar nga një front shumë i gjerë në të cilin zhvillohen trafiqe nga më të ndryshmet, përfshi drogën, armët, kontrabandën e cigareve dhe trafikun e qenieve njerëzore. Mbikëqyrja e plotë e Mesdheut është një punë shumë komplekse dhe për këtë arsye vende të BE-së po marrin pjesë në projektin "Bluemassmed". Një karakteristikë e këtij projekti është pjesëmarrja e civilëve (teknikë, agjenci qeveritare, funksionarë) dhe e ushtarakëve së bashku. Në projektin e monitorimit satelitor marrin pjesë 37 administrata publike nga gjashtë vendet e interesuara. Pjesa teknologjike e projektit i është besuar Agjencisë Italiane Hapësinore (Asi), që ka një rol të rëndësishëm në nivel evropian. Në fakt Italia është vendi i tretë në Evropë për nga kontributi në Agjencinë Hapësinore Evropian. Një nga pjesët kryesore të projektit është "Cosmo-Skymed", sistemi satelitor që do të shërbejë për vëzhgimin e terrenit. Sistemi u ndërtua nga Agjencia Hapësinore Italiane në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Mbrojtjes. Sistemi përbëhet nga katër satelitë të pajisur me radarë në bandë X, që lejojnë ta vëzhgosh Tokën gjatë natës dhe ditës, në të gjitha kushtet meteorologjike. "Cosmo-Skymed" është tepër fleksibël. Ai mund të operojë në modalitetin "spotlight", në një hapësirë prej pak kilometrash katrorë me rezolucion deri në një metër, në modalitetin "stripmap", duke vëzhguar një rrip të vazhdueshëm në sipërfaqen e tokës ose në modalitetin "scanSAR", që mbulon një rajon prej 200 kilometrash katrorë. Gjithashtu sistemi është mjaft i shpejtë në ndryshimin e drejtimit për të marrë imazhet e dëshiruara në pozicione të ndryshme. Sistemi përgjigjet në fakt nga 72 orë në kushte rutinë, deri në më pak se 18 orë në kushte emergjente. Gjithashtu një pikë e fortë e sistemit është koha e shkurtër e rishikimit (intervali ndërmjet dy kalimeve në të njëjtën pikë), që arrin më pak se 12 orë, dhe lejon monitorimin konstant të situatës në një zonë të caktuar. Sot, asnjë sistem satelitor nuk i ka këto karakteristika kaq të avancuara. Siguria në Detin Mesdhe është e rëndësishme. Në ujërat e Mesdheut kalojnë çdo vit, në bazë të volumit të mallrave të transportuara, 15 për qind e të gjithë trafikut detar botëror. Morfologjikisht, Mesdheu është një det "i mbyllur" ndërmjet tre kontinenteve që lag (Evropë, Azi dhe Afrikë) me të vetmet "dyer" komunikimi që janë Gjibraltari, Kanali i Suezit dhe Ngushtica e Bosforit. Por edhe katastrofa ambientale, si ajo e Gjirit të Meksikës, janë një kërcënim për një det jo shumë të hapur siç janë ato oqeanikë. Projekti "Bluemassmed" do të japë përgjigje edhe për këto problematika, duke përdorur teknologji satelitore që mund të pasqyrojnë gjurmët e substancave kimike që anijet mund të lëshojnë në det. /e.v/
KOMENTE