Durrës: Motorrët E Ujit Vetëm Në Currila Dhe Në Kallm
DURRËS, 5 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Motorrët e ujit të Durrësit do të qarkullojnë vetëm në zonën detare të Currilave dhe të Kallmit, duke shmangur rrezikun e dëmtimit të pushuesve në plazhin tradicional ku çdo ditë mbërrijnë dhjetra mijëra qytetarë.
Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së parë të shtabit të prefektit për turizmin në qarkun e Durrësit, ndërsa brenda dy ditëve të ardhshme do të përcaktohen vendbazimet dhe zonat e lundrimit për këto mjete të shpejta edhe në plazhet e Shkëmbit të Kavajës si dhe në ato të Rrushkullit dhe të Shën Pjetrit në gjiun e Lalzit.
Prefekti i qarkut, Genc Alizoti, duke sjellë përvojën e viteve të kaluara, vlerësoi si shqetësim lëvizjen e pakontrolluar, rreziqet që shkaktojnë motorrët e ujit për jetën dhe sigurinë e pushuesve si dhe prishjen e imazhit turistik. Në zbatim të ligjit përkatës dhe të situatës turistike në plazhin tradicional në jug të qytetit kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se vendbazimi i motorrëve të ujit do të jetë në portin e vogël të Currilave.
Lëvizja e tyre jashtë zonës detare nga muri rrethues perëndimor i portit deri në zonën e Kallmit, me një gjatësi prej rreth 6 km, do të konsiderohet shkelje e ligjit dhe do të çojë në bllokimin përfundimtar të këtyre mjeteve të shpejta personale lundruese, të cilat vitet e kaluara kanë shkaktuar edhe vdekjen e pushuesve në Durrës apo në plazhe të tjera të vendit.
"Brenda dy ditëve të ardhshme lëvizja e motorrëve të ujit do të jetë e disiplinuar përfundimisht edhe për zonën detare të Shkëmbit të Kavajës dhe të gjirit detar të Lalzit," tha prefekti Genc Alizoti, sipas të cilit në këto plazhe do të ketë bova sinjalizuese detare për lëvizjen e tyre të paktën 100 metra larg pushuesve, si dhe rrugë të përcaktuara më parë për daljen e tyre nga vendbazimet kolektive apo familjare deri në bregdet.
Motorrët e ujit arrijnë shpejtësi deri në 90 milje në orë dhe, sipas vendimit të fundit të qeverisë shqiptare, lëvizja e tyre në zonat turistike duhet të jetë e monitoruar dhe e kontrolluar nga njësitë e qeverisjes vendore dhe nga një sërë institucionesh.
Sipas burimeve të policisë kufitare, vetëm në Durrës janë bllokuar përfundimisht 2 motorrë uji, dhe 16 të tjerë me dokumantacionet përkatëse nuk janë lejuar të dalin në det deri në vendosjën e zonave të lundrimit.
Sipas të njejtave burime, 60 kërkesa të tjera për motorrë uji janë depozituar pranë organeve përkatëse, por ato nuk do të miratohen, nëse njësitë e qeverisjes vendore nuk do të marrin masa për zbatimin e ligjit.
Qarku i Durrësit ka një vijë bregdetare prej afro 62 km dhe në plazhet e tij gjatë stinës së verës pushojnë mesatarisht 100 mijë vetë në ditë./ch/