English

Gjykata: Dëshmitarë Të Tjerë Për Çështjen "Gërdeci"

TIRANË, 5 Korrik/ATSH/.- Dëshmitarë të tjerë të akuzës dëshmuan sot në Gjykatën e Tiranës, në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci", që numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish -drejtues të ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë. Shefi i sektorit të Antikrimit në Policinë Ushtarake, Robert Gjini, dëshmoi mbi informacionet që posedonte për kohën kur kishte nisur puna për ndërtimin e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake brenda repartit ushtarak të Gërdecit. Sikurse pohoi dëshmitari, ai kishte mësuar se një kompani private ishte lejuar që të bënte prishjen e disa objekteve brenda repartit ushtarak të Gerdecit, nëpërmjet një urdhëri gojor të ish- Zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Shpëtim Spahiu, i pandehur në këtë proces. Lidhur me informacionin e marrë, dëshmitari bëri të ditur se, kishte vënë në dijeni ish- drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Në seancë dëshmoi edhe Valbona Loha, ekonomiste në një nga kompanitë e të pandehurit Mihal Deliorgjit, e cila dëshmoi lidhur me aktivitetin ekonomik të kompanisë. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në ish- repartin ushtarak në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Çështja "Gërdeci" konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me 29 të pandehur dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës. /a.m/s.s./
KOMENTE