English

Gjykata E Lartë/Kandidati Sokol Çomo Seancë Dëgjimore Në Komisionin E Ligjeve

TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Komisioni parlamentar i ligjeve vijoi sot seancat dëgjimore me kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Presidenti i Republikës. Kandidati Sokol Çomo, aktualisht avokat pranë Dhomës së Avokatisë, ishte i dyti nga tre kandidaturat e propozuara Kuvendit, që për shumë se dy orë iu nënshtrua seancës dëgjimore, një procedurë e brendshme parlamentare, para kalimit të dekreteve për votim të hapur në seancë plenare. I diplomuar në vitin 1994 në Universitetin e Tiranës, dega juridik, Çomo e ka nisur karrierën e tij profesionale si gjyqtar në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, për të vijuar më pas me detyrën e zv/ministrit të Drejtësisë në vitet 1998-2000. Po në vitin 2000 ai rikthehet sërish në Gjykatën e rrethit Tiranë, ku për një kohë ka mbajtur dhe postin e kryetarit të saj. Ndërkohë, Çomo ka qënë dhe anëtar i KLD-së në vitet 2002-2007. Pas prezantimit të karrierës së tij, ai iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, për të krijuar një ide më të qartë mbi nivelin profesional dhe integritetin e tij si kandidaturë për një nga institucionet më të larta gjyqësore në vend. I pyetur se cilat duhet të jenë kriteret në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Çomo veçoi 'eksperiencën profesionale', si kriter thelbësor. "Në Gjykatën e Lartë, si institucioni gjyqësor më i lartë në vend, do duhet të shërbejnë juristët që kanë eksperiencën e nevojshme", tha ai. Çomo vuri në dukje se në veprimtarinë e tij, nuk ka asnjë moment që mund të vërë në dyshim besueshmërinë e kandidaturës së tij. "Nga pikpamja ligjore nuk gjej asnjë moment ligjor që të përbëjë ndonjë cënim besueshmërie të kandidaturës sime", tha ai. Çomo theksoi se nuk ka pasur ndonjë suport politik, për ta ndihmuar atë në ngjitjen e shkallëve të karrierës. Ai sqaroi se emërimet e tij në postet e rëndësishme të sistemit gjyqësor, përgjatë 15 viteve, nuk janë mbështetur nga politika, por nga profesionalizmi. "Sqaroj, se kur jam emëruar gjyqtar i rrethit gjyqësor Tiranë në vitin 1995 nuk kam pasur asnjë suport politik. Edhe emërimi im si zv/ministër i Drejtësisë nuk ka kaluar në filtrat apo kanalet politike. Ka qënë një kërkesë e kryeministrit të kohës, Pandeli Majko, që një gjyqtar me eksperiencë gjyqësore të shërbente për një afat të caktuar kohor në strukturat e drejtësisë dhe e vlerësova këtë si një mundësi për të avancuar në karrierë", tha kandidati Çomo. Gjatë seancës dëgjimore kandidati për Gjykatën e Lartë, duke vënë në dukje problematikat e sotme të sistemit të drejtësisë, tha se ai vuan nga tre sëmundje: profesionalizmi i ulët, mungesa e transparencës dhe korrupsioni. Çomo, me një eksperiencë të pasur në gjyqësor, sugjeroi që për gjyqtarët që përballen me elementë kriminalë në procese gjyqësore, shteti duhet të marrë përsipër transportin e tyre. "Për një çështje të një rëndësie të veçantë, ku gjyqtarët mund të përballen me elementë të krimit, shteti duhet të marrë përsipër transportin e tyre, duke i marrë ata në mbrojtje. Kjo nuk duhet të shihet si një privilegj ndaj tyre, por si një kontribut që ndikon në vendimmarrjen, e cila duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj frike", spjegoi Çomo. Sipas Kushtetutës, pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e Apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit. Gjykata e Lartë ka 17 anëtarë, të cilët emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Nesër komisioni i Ligjeve do të vijojë seancën dëgjimore me kandidatin e fundit për anëtar të Gjykatës së Lartë,Vexhi Muçmataj. /s.s./
KOMENTE