English

Kinë - Tetë Vjet Heqje Lirie Për Një Gjeolog Amerikan

PEKIN, 5 korrik /ATSH-ANSA/ - Një gjeolog amerikan me origjinë kineze, Xue Feng, u dënua me tetë vjet heqje lirie për shkeljen e një sekreti shtetëror, sipas një komunikatë të Ambasadës amerikane në Kinë. Xue, 44 vjeç, ishte arrestuar në vitin 2007 pasi pranoi se i kishte shitur shoqërisë amerikane për të cilën punonte një arkiv me informacione për kompanitë kineze të naftës. "Jemi tronditur kur jemi informuar për dënimin me tetë vjet dhe 200 mijë juan gjobë (23 mijë euro). Jemi të shqetësuar për të drejtat e tij", komentoi Richard Buangan, zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Pekin. Përcaktimi si sekret shtetëror në Kinë është i paqartë pasi aplikohet në një numër shumë të madh çështjesh. Sipas Fondacionit "Dui Hua" (Dialog), që merret me problemet ligjore në Kinë, kategoria sekret shteti është aplikuar për dokumentin e shitur nga Xue Feng vetëm pasi kishte ndodhur shitja. Ndërsa në muajin mars ngjalli shqetësime edhe çështja e Stern Hu, një menaxher australian me origjinë kineze i cili u dënua me dhjetë vjet heqje lirie nga një gjykatë e Shangait për "praktika tregtare jo korrekte". /e.v/
KOMENTE