Kosova Dhe Maqedonia Nenshkruajne Memorandum Mirekuptimi Ne Fushen E Energjetikes
PRISHTINË, 5 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ministria e Energjisë dhe Minierave e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë kanë nënshkruar sot në Shkup një Memorandum Mirëkuptimi, i cili i hap rrugë intensifikimit të bashkëpunimit bilateral në sektorin e energjisë në pajtim me politikat dhe strategjitë shtetërore, me synim arritjen e furnizimit më të sigurt të energjisë për dy vendet dhe më gjerë.
Memorandum është nënshkruar nga ministrja kosovare e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Fatmir Besimi, ndërsa në të theksohen fushat prioritare të bashkëpunimit në këtë fushë mes Kosovës dhe Maqedonisë, bëhet e ditur në një komunikatë të ministrisë kosovare.
Sipas komunikatës, ministrja Pula ka vlerësuar me këtë rast se nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunim mes dy ministrive në fushat e energjisë është i një rëndësie të veçante. "Kosova, shteti më i ri i Ballkanit, është mjaft e interesuar ta zhvillojë me prioritet bashkëpunimin rajonal dhe atë bilateral me vendet fqinje. Bashkëpunimi dypalësh me Republikën e Maqedonisë është i një rëndësie te veçante për Republikën e Kosovës", tha Pula.
Ajo tha se energjia është përcaktuar si fushë prioritare e bashkëpunimit dhe këmbimit të përvojave dhe në këtë drejtim do të punohet për zhvillimin e një tregu sa me uniform të energjisë, shkëmbimin e eksperiencave ne fushën e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Nga ana tij, ministri Besimi tha se ky memorandum tregon vullnetin e dy qeverive për të thelluar bashkëpunimit në fushat përkatëse, të cilat do të konkretizohen nga grupet punuese të dy vendeve.
Ai tha se në të ardhmen pritet që të konkretizohen pikat e bashkëpunimit në fushën e energjisë duke vlerësuar se kjo është në interesin e dy vendeve për të avancuar sigurinë e furnizimit me energji. /a.ke/