English

Kosovë: Presidenti Sejdiu: Nënë Tereza, Krenari Për Botën Shqiptare

PRISHTINË, 5 Korrik /ATSH-B.Jashari/ . - "Nënë Tereza është krenari për botën shqiptare", tha sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në takimin me Ipeshkvin Dodë Gjergji, gjatë së cilës u diskutua për përgatitjet për organizimin sa më të mirë të aktiviteteve për përkujtimin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare, Nënë Tereza. "Është krenari për tërë vendin dhe botën shqiptare në përgjithësi që kemi një personalitet të fuqishëm të paqes dhe të urtësisë si Nëna Terezë", tha Sejdiu për mediat pas takimit. Ai bëri të ditur se kremtimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës do të jetë një zë i vazhdueshëm jo vetëm i propagandimit, por edhe i shpalosjes në thellësi në botë të veprës, jetës, krijimtarisë dhe përkushtimit të saj të gjithkohshëm. Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se "diskutuam për mundësitë e zhvillimeve të mëtejshme të realizimit të këtij viti jubilar dhe organizimin e festës solemne më 5 shtator, për të cilën i ftojmë të gjithë shqiptarët, sepse Nënë Tereza është e të gjithëve, ashtu si ka qenë e të gjithëve me dashurinë dhe zemrën e saj, ashtu do të mbetet për të gjithë një person, i cili pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i bashkon të gjithë shqiptarët në dashuri". Duke u përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për përpjekjet për tjetërsimin e Nënë Terezës Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se "ne nuk kemi nevojë për t'i treguar dikujt se Nënë Tereza është shqiptare sepse ajo i ka treguar të gjithë botës vetë, kështu që do të merremi me aktivitetet tona dhe 5 shtatori do të jetë dita e kremtimit solemn e të gjithë shqiptarëve, por edhe e miqve tanë dhe kjo festë do të kremtohet në Katedralen e re në Prishtinë"./s.s./
KOMENTE