English

Kosove: Thaci Pret Mirel Ne Prag Te Takimit Plenar Te Dialogut Te Procesit Te Stabilizim-Asociimit

T PRISHTINË, 5 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Në prag të takimit plenar të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot drejtorin për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel. Në takim u diskutua për perspektivën evropiane të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve për zbatimin e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, progresin dhe sfidat në rrugën e integrimit dhe për çështje tjera me rëndësi, bënë të ditur burimet zyrtare të kryeministrisë. Kryeministri Thaçi shprehu gjithë angazhimin që është duke bërë qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës për përmbushjen me sukses të të gjitha përgjegjësive dhe kritereve për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ai tha se "sfidat që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën janë pjesë kryesore e angazhimeve të qeverisë". Në takim u rikonfirmua thellimi i përkushtimeve për perspektivën evropiane të Kosovës, veçanërisht çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, marrëveshjen tregtare me BE-në, etj. Drejtori për Zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel duke vlerësuar punën e qeverisë në përmbushjen e kritereve për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, theksoi se gjithë progresi i arritur, si dhe sfidat që dalin në këtë rrugë, do të jenë të prezantuara në mënyrë meritore në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian të këtij viti. /a.ke/
KOMENTE