Tiranë, 5 Korrik, NOA – Kandidati i dytë për anëtar të Gjykatës së Lartë, Sokol Çomo, do të merret sot në pyetje nga anëtarët e komisionit parlamentar të Ligjeve, ndërsa nesër është parashikuar ë një procedurë e tillë të ndiqet për kandidatin e tretë të këtij institucioni, Vexhi Muçmata.
Këta të dy, renditen pas kandidatit të parë Medi Bici, i cili iu përgjigj gjatë javës së kaluar pyetjeve të deputetëve, ku mësohet se kanë qenë 28 të tilla, të cilave ai u ka kthyer përgjigje.
Ndërkaq, pasi të tre kandidatët do të jenë marrë “në provim” nga anëtarët e komisionit parlamentar të Ligjeve, kandidaturat do të shkojnë për votim të hapur në Kuvend.
Kjo mënyrë votimi në fakt, u miratua para pak ditësh nga Kuvendi, pas një debati të gjatë me deputetët e opozitës, të cilët janë shpallur kundër ndryshimeve që ju bën Rregullores së Kuvendit, për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit të Republikës. Opozita nga ana e saj, ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë ligj dhe rrjedhimisht asnjë dekret dhe i bie që edhe për tre kandidaturat në fjalë, ata të mos japin votën e tyre.
n.e/NOA