English

Meta i kundërpërgjigjet PS: Do dorëhiqem pas tre vjetësh, koalicioni LSI-PD funksionoi

Tiranë, 5 korrik, NOA – Pas kërkesës së Partisë Socialiste që ministri i Jashtëm Ilir Meta të japë dorëheqjen për arrestimin e ish punonjësit të MPJ-së, Almir Rrapo, për trafik dore, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta iu përgjigj opozitës se do të dorëhiqet, por vetëm pas afatit kushtetues, pra pas tre vitesh.

Duke iu referuar arrestimit të zyrtarit të MPJ-së, Almir Rrapo, brenda në ambasadën amerikane, të premten, ministri i Jashtëm, Meta deklaroi se arrestimi i tij dëshmon në mënyrë të qartë tolerancën zero të mazhorancës qeverisëse në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, luftë në të cilën nuk kursehet askush.

Kryediplomati shqiptar përgëzoi në këtë kontekst forcat e specializuara të antitrafikut jo vetëm për zbatimin e ligjit por edhe për bashkëpunimin me partnerët amerikanë, që rishtas konfrimojnë luftën e pandalshme dhe tolerancën zero ndaj korrupsionit që nuk kursen askënd, sikundër ishte edhe rasti i zyrtarit të MPJ-së.

Pas deklaratës së kryeministrit sot në mbledhjen e grupit të PD-së, se Koalicioni me LSI-në ia doli mbanë në realizimin e premtimeve të mazhorancës, i pyetur për mendimin e tij për koalicionin me PD-në, lideri i LSI-së, njëherësh zëvendëskryeministri Ilir Meta theksoi se “që nga dita që u shpall koalicioni i imponuar nga votat e sovranit, ka treguar që ka qenë një koalicion funksionues. Ka një bilanc pozitiv, tha Meta, në funksionimin e institucioneve qeverisëse dhe ka shënuar një progres të dukshëm në raportet e Shqipërisë me BE-në”.

Duke iu referuar marrëveshjes për koalicionin LSI-PD që lindi në 4 korrikun e vjetshëm, Meta tha se “ai lindi në ditëlindjen e Ramës, ndaj e uroj atë".

mit/NOA

KOMENTE