Meta:Kërkesa E Ps-Së Për Dorëheqjen, Pas Mbarimit Të Afatit Kushtetues
TIRANE, 5 Korrik / ATSH- A.Gegvataj/ - Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta i pyetur sot nga mediat në lidhje me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij pas arrestimit të nënpunësit të MPJ-së në ambasadën amerikane , deklaroi se, " dorëheqjen do ta japim kur të mbarojë afat i përcaktuar me Kushtetutë, pra pas 3 vjetësh".
Duke nënvizuar se "askush nuk mund të qëndrojë në një detyë pa u rizgjedhur në mënyrë demokratike", Meta deklaroi se "për rastin në fjalë dua të përgëzoj organet tona të specializuara për zbatimin e ligjit, të përshëndes bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtar e në veçanti me ata amerikanë".
Ai theksoi se "kjo konfirmon edhe një herë tjetër se për këtë qeveri, toleranca zero kundër krimit dhe kundër korrupsionit është e pandalshme dhe nuk do të kursehet askush, qoftë sekretar teknik apo qoftë përfaqësues i larte politik".
"Me këtë rast e ftojmë edhe opozitën të bashkëpunojë, të tregojë edhe ajo vullnetin e saj për të ecur përpara për të gjitha reformat që e forcojnë luftën kundër krimit dhe korrupsionit", përfundoi zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta. /a.gj/