English

Meta në Poloni: Qeverisja e mirë, themeli i shoqërive demokratike

Krakov, 5 Korrik, NOA – Qeverisja e mirë qëndron në themel të ndërtimit dhe funksionimit të çdo shoqërie demokratike dhe përbën një nga prioritetet kryesorë të qeverisë shqiptare në funksion të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.

Kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e nivelit të lartë të Komunitetit të Demokracive, i cili u zhvillua në Krakov të Polonisë, në datat 2-4 korrik.

Gjithashtu, ai u ndal në rëndësinë e veçantë që ka partneriteti konstruktiv mes qeverisë, biznesit dhe shoqërisë civile në hartimin e një axhende qeverisëse e cila jo vetëm do të sjellë zhvillim ekonomik dhe prosperitet social, por edhe forcimin e një demokracie të qëndrueshme, ku qytetarët çdo ditë edhe më tepër ndihen pjesë e vendimmarrjes.

Meta u shpreh se bashkëpunimi rajonal është një element kyç në thellimin e shkallës së demokratizimit të shoqërive të vendeve të rajonit të Ballkanit dhe që do të shkurtojë rrugëtimin e këtij rajoni drejt integrimit të plotë në BE.

Sipas tij, ky bashkëpunim duhet të kapërcejë nivelin e dialogut politik dhe atë të fqinjësisë të mirë dhe të shndërrohet në një proces më dinamik në të gjitha fushat me interes të përbashkët, ku përpjekjet e qeverive të rajonit duhet të përfshijnë kryesisht bashkëpunimin ekonomik dhe investimet në sektorët strategjik me impakt rajonal.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Meta zhvilloi një sërë takimesh me homologët e tij nga Kanadaja, Indonezia, Sllovakia, Bullgaria, Gjeorgjia, Tailanda, Mongolia etj.

Në fokus të këtyre bisedimeve ishte progresi i Shqipërisë në reformat demokratizuese dhe proceset integruese, çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe bashkëpunimi rajonal dhe kontributi i Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon.

n.e/NOA

KOMENTE