Meta: Sulmi Ndaj Deputetit Serb Synon Dëmtimin E Imazhit Të Kosovës Dhe Rajonit
TIRANE, 5 Korrik / ATSH- A.Gegvataj/ - Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta dënoi sot sulmin ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Liberale, Petar Miletiç i cili u godit me armë zjarri përpara banesës së tij, në Mitrovicën veriore.
Gjatë një konference për shtyp, Meta deklaroi se "kam patur një bisedë telefonike me kryetarin e Partisë Liberale të Kosvës, Sllobodan Petrovic, të cilit i kam shprehur solidaritetin tonë për aktin e rëndë, të ndodhur sot paradite".
Duke dënuar këtë akt kriminal, Meta theksoi "mbështetjen e plotë që ne i japim autoriteteve të qeverisë së Kosovës, EULEX dhe KOFR, rëndësisë së funksionimit të institucioneve të Kosovës në të gjithë territorin dhe në të mirë të shërbimit ndaj qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie etnike".
Gjithashtu Meta shprehu mbështetjen edhe ndaj qëndrimeve të Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës, të autoriteteve dhe përfaqësuesve ndërkombëtar atje.
"Jemi të bindur pa asnjë diskutim se edhe e ardhmja e Mitrovicës do të mund të jetë një e ardhme e qetë, në paqe, stabilitet e në bashkëjetesë", nënvizoi ai.
Kryediplomati shqiptar, Ilir Meta shprehu bindjen se "për këtë kërkohet kontributi i të gjithë aktorëve dhe në radhë të parë, izolimi i elementëve destruktivë, të cilët kërkojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës. Por njëkohësisht kështu dëmtojnë edhe imazhin e gjithë rajonit tonë, që është gjithnjë më pranë NATO-s dhe BE-së"./n.m/