Mitrovicë - Plagoset Deputeti I Kuvendit Të Kosovës, Petar Miletiç
PRISHTINË, 5 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiç, është plagosur sot në mengjes në veri të Mitrovicës.
Në Kuvendin e Kosovës Miletiç është edhe kryetar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Ai është edhe zyrtar i lartë i Partisë Liberale Serbe.
"Sipas të gjitha gjasave Miletiç ka qenë në ecje kur është qëlluar mbi të", citohet një deklaratë e parë e Policisë në vendin e ngjarjes.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është dënuar ashpër sulmi kundër deputetit Miletiç. "Sot kemi një tentim vrasje politike në një moment shumë delikat politik për Kosovën, spese është atakuar një njeri, i cili përfaqëson komunitetin e vet dhe punon për integrimet në institucionet e Kosovës", u tha në fillimin e seancës së Kuvendit, ku deputetit Miletiç iu urua shërim sa më i shpejtë.
Sipas njoftimeve, deputeti Miletiç ndodhet në Spitalin e Mitrovicës jashtë rrezikut për jetën.
Ky është incidenti i dytë në veri të Mitrovicës, që nga e premtja e kaluar, kur si pasojë e një shpërthimi humbi jetën një qytetar dhe u plagosën dhjetë të tjerë, ndërkohë që po zhvillohej një protestë e rreth njëmijë serbëve kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës në veri të qytetit - Lagjen e Boshnjakëve, të banuar me shqiptarë.
/s.s./