Tiranë, 5 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Qeveria shqiptare duhet të gjejë një argument të fortë për të bindur Fondin Monetar Ndërkombëtar për një veprim kontradiktor ekonomik.
Nga njëra anë qeveria po përgatitet të shkurtojë buxhetin me afro 10%, ose 40 miliard lekë, pasi mbledhja e të ardhurave nuk garanton shifrat e parashikuara.
Por nga ana tjeter, ajo ka premtuar të rrisë pagat dhe pensionet.
Një javë më parë, Këshilli i Ministrave rriti pensionet nga 4-10%, ndërsa vendimi për pagat pritet të merret pas një konsultimi, që do të ketë gjatë kësaj jave, me një mison të FMN-së që do të mbërrijë në Shqipëri.
Në fillim të vitit, FMN, tha se qeveria kishte parashikuar shifra të ekzagjeruara në buxhet, të cilat nuk përputheshin me pritshmëritë ekonomike.
Por një kritikë e tillë nuk u mor parasysh.
Në muajt e parë të vitit, instiucioni ndërkombëtar i sugjeroi sërish qeverisë, që në kushtet aktuale të buxhetit të mos rrisë pagat dhe pensionet, por vetem t’i indeksojë ato.
Këtë herë kjo këshillë hasi në deklarata të forta të kryeministrit, cili ka premtuar se rritja e pagave do të jetë më e madhja e realizuar ndonjëherë.
I gjithe ky optimizëm vjen në një kohë kur, qeveria duket qartë se është në vështirësi për para.
Pasi nuk arriti dot të merrte borxh në tregun e huaj, ajo iu drejtua tregut të brendshëm, nga ku mori 25 milion euro, ndërkohë që nevojat janë edhe më të mëdha.
Një veprim i tillë u pasua edhe nga një deklaratë e guvernatorit Ardian Fullani, i cili deklaroi se qeveria duhet ta lërë tregun e brendshëm të qetë, për të plotësuar nevojat e konsumatorëve dhe bizneseve.
r.l/NOA