English

P/Ligji Për Ekspertët Kontabël, Debate Në Komision Të Ekonomisë

Ë TIRANE 5 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/.-Ndryshimet në p/ligjin për ekspertët kontabël, ku parashikohen ndëshkime të ashpra për specialistët e kësaj fushe, nëse ata kryejnë bilance pa u regjistruar në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, ngjalli debate gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Deputetë të opozitës i kërkuan kryetarit të Komisionit, Edmond Spaho, të mos shqyrtohej p/ligji pa u marrë opinioni i Komisionit Parlamentar të Ligjeve si komision përgjegjës për përputhshmërinë e tij me Kushtetutën si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi këtë p/ligj pak kohë më parë. Sipas nënkryetares së këtij komisioni, Mimi Kodheli, për të disatën herë i kemi kërkuar kryetarit Spaho të kalojë p/ligjet fillimisht në komisionin e Ligjeve për të parë përputhjen me Kushtetutën e vendit, pasi disa ligje të miratuara nga maxhoranca po kthehen nga Gjykata Kushtetuese. Kryetari i Komisionit, Edmond Spaho, kërkoi opozitës që nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Konferencën e Kryetarëve, të kërkonte shqyrtimin e p/ligjeve edhe në komisionin e Ligjeve, ose kërkesën t'a bënte në momentin që kalendari i punimeve të miratohet në Parlament. Por Drejtoresha e Legjislacionit në Ministrinë e Financave, Lindita Rusmali, sqaroi deputetët se ndryshimet në ligj u bënë për shkak se Gjykata Kushtetuese rrëzoi një prej neneve të ligjit, pasi ai përcaktonte vepër penale çertifikimin e bilanceve nga ekspertët kontabël të paregjistruar, ndërsa ishte miratuar në Kuvend me shumicë të thjeshtë votash dhe jo me 3/5, siç e parashikon Kushtetuta për veprimet që përbëjnë vepër penale. Rusmali tha se ndryshimi parashikon çertifikimin e bilancit të ekspertëve kontabël si kundravajtje administrative, e cila mund të përbëjë edhe vepër penale nëse pala e interesuar e vërteton se shkelja është e tillë. Ndërsa shkeljet administrative kërkojnë një shumicë të thjeshtë votash. Deputetë të opozitës kërkuan sërish rishikimin e këtij neni të p/ligjit, pasi sipas tyre, çertifikimi i bilanceve pa qënë i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve Kontabël, është falsifikim dhe mashtrim dhe si i tillë është vepër penale dhe jo shkelje administrative. Në këtë mënyrë, Drejtoresha e Legjislacionit në ministrinë e Financave kërkoi konsensusin e opozitës për të dhënë votën e saj për miratimin e p/ligjit në seancë plenare. Në bazë të p/ligjit, ndëshkimi më i vogël për ekspertët që certifikojnë bilancet e kompnaive pa qënë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve Kontabël, parashikohet në vlerën e gjobës 5 milionë lekë, ndërsa masa maksimale është 10 milionë lekë gjobë. Në nenin 58 të p/ligjit parashikohet që ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 000 000 deri në 10 000 000 lekë. Sipas p/ligjit, vendimi për vendosjen e gjobës merret nga bordi i mbikëqyrjes publike. Gjithashtu vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori. Bordi i mbikëqyrjes publike ngarkohet me zbardhjen e shkeljeve dhe përcaktimin e gjobave./s.s./
KOMENTE