English

PD, Bogdani: Rama dështoi si kryetar bashkie, la Tiranën në mëshirë të ndërtimit

Tiranë, 5 korrik, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani riartikuloi sot akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si përgjegjësin e mungesës së një Plani Rregullues për Tiranën, që për rrjedhojë po sjell edhe zhvleresimin e pronave të qytetarëve.

Deputeti i Tiranës, Bogdani ka evidentuar në këtë kontekst praktikën e ndërtimit në qytetin e Tiranës, që në mungesë të planit të përgjithshëm rregullues, përveç zhvillimit kaotik të kryeqytetit ka sjellë edhe një zhvlerësim të heshtur të pronës së qytetarëve të Tiranës.

Sipas deputetit demokrat, zhvlerësimi ka ndodhur në disa mënyra.

Sipas Bogdanit, ndërtimi i pallateve në një zonë të caktuar, jo si pjesë e një plani të përgjithshëm, ka krijuar një situatë kur shumë qytetarëve të vjetër e kanë të vështirë të zhvillojnë pronën e tyre.

Bogdani theksoi se ndërtimi pa plan urbanistik, ka bërë që qytetarët edhe kur kanë blerë hyrje të shtrenjta, mbas disa vitesh përpara dritares apo ballkonit të tyre është ndërtuar një pallat i ri.

Një tjetër të keqe që ka sjellë ndërtimi i pallateve pa plan të përgjithshëm rregullues është se mungesa e tij, ka sjellë mungesën e ambjenteve të gjelbërta, këndeve të lojërave për fëmijët, si dhe mjediseve të tjera publike në shërbim të një jetë më të mirë për banorët e kryeqytetit.

“Dështimet e zotit Rama, si Kryetar Bashkie janë të panumërta, por dështimi i tij më i madh, është padyshim lënia e kryeqytetit në mëshirë të interesave të ndërtimit, pa një plan rregullues”, nënvizoi deputeti i PD-së.

Ai tha ndër të tjera se gjatë këtyre viteve Tirana ka përjetuar një bum ndërtimi; ku sipërfaqja e ndërtuar e qytetit është disafishuar, duke krijuar një shqetësim të vazhdueshëm dhe problematika të thella për qytetarët, pasi çdo ndërtim është bërë pa u planifikuar më parë nga një plan rregullues.

Ndërsa, priten zgjedhjet vendore, dhe kreu i Bashkisë së Kryeqytetit kryeson Tiranën, për plot 3 mandate qeverisësë, deputeti i PD-së, Gerti Bogdani rishtas e cilësoi në këtë kontekst Tiranën, si të vetmin kryeqytet në Europe pa një plan të përgjithshëm rregullues, edhe pse sipas Bogdanit, Plani i Përgjithshëm Rregullues ishte premtimi i parë i Edi Ramës, kur u zgjodh në vititn 2000.

mit/NOA

KOMENTE