English

Prifti akuzon kryebashkiakun Rama për monopol në tregun e reklamave

Tiranë, 5 korrik, NOA, Rajmonda Lajthia - Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në emër edhe të kryetarit të këshillit konsultativ të biznesit ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për krijimin e një situate monopol në tregun e reklamave.

Në kuadër të hartimit të një ligji për taksat vendore që po përgatit ministria e financave, komuniteti i biznesit ka hartuar propozimet përkatëse.

Gjatë mbledhjes së radhës së këshillit, ministri Prifti tha se kryetari i Bashkisë favorizon një deri në dy kompani duke krijuar monopol në këtë treg.

Sipas tij, nuk ka një situatë të tillë të ngjashme në qytetet e tjera.

Biznesi kërkon që tarifat e reklamave që janë identifikuese për aktivitetin, të ulen në nivelin 2008-ës, gati 4 herë më pak nga tarifat që aplikohen aktualisht.

Njëkohësisht, ata kërkojnë që të ketë një çmim variabël për madhësinë e tabelave reklamuese, në ndryshim nga ligji aktual, i cili ka një çmim tavan për një reklamë, e cila mund të jetë edhe më e madhe se 12 metra katrorë.

Këto propozime, ministri Prifti tha se do t’i dërgojë për diskutim në ministrinë e Financave, por edhe në qeveri, për miratim.

Kjo akuzë e Priftit vjen në një kohë kur opozita ka artikuluar akuza të forta për monopole në ekonominë e vendit.

Sipas Partisë Socialiste, ekonomia shqiptare nuk vuan vetëm nga monopolet, por nga kapja e shtetit.

r.l/NOA
KOMENTE