Promovohet Numri I Pare I Gazetës Me Te Re, "Mapo"
TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Shtypi i shkruar shqiptar pasurohet me një titull të ri, gazetën "MAPO", e cila u promovua sot gjatë një ceremonie në Hotel Rogner, në prani të përfaqësuesve të shumtë të medias, politikës, shoqërisë civile, etj.
Drejtori i saj, Henri Çili tha se gazeta e re, që vjen si inicativë e një grupi të riformatuar mediatik, siç ka qënë revista e përjavshme "MAPO", synon të jetë kriter i së vërtetës, pluralizmit dhe balancimit.
"MAPO përfaqëson një nismë profesionale dhe të rëndësishme dinjitoze në shtypin e shkruar shqiptar. Tashmë besojmë se në Shqipëri duhet të marrë fund ajo epokë, që bashkë me epokat politike, madje dhe me qeverisjet, lindin, ose vdesin tituj të rinj gazetash. Duhet të kemi më në fund një trashëgimi, që ta çojmë përpara në përputhje me rrethanat e reja", u shpreh Çili.
Ai e quajti "një formë guximi dhe aventure" botimin e një gazete sot, në kushtet kur shtypi i shkruar në të gjithë botën është në krizë. "T'i futesh sot një sipërmarrjeje të kësaj natyre është një formë guximi dhe aventure. Por, bashkë me ekipin ekzistues të revistës MAPO-s, ne duam ta zhvillojmë këtë utopi", tha drejtori Çili.
Gazeta e re "MAPO", që do të dalë në treg nga e hëna në të premte, ka kryeredaktor Arion Sulon, ndërsa botues është Agim Shenediela./n.m/