English

Reforma Në Shëndetësi-Spitalet Rajonale Do Të Funksionojnë Në Nivel Qarku

TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Rajonalizimi i sistemit shëndetësor, ashtu sikurse është në të gjithë Europën e rajonin ballkanik, është themeli i reformës së ndërmarrë në shëndetësi, çka do të thotë se në qendër të rajoneve do të ofrohen shërbimet më të plota dhe të ekselencës. Ndërsa, shërbimet e tjera në struktura të tjera do të ofrojnë një sistem detyrash më të përmbledhur për të mos ulur cilësinë e shërbimit, bëri të ditur sot për ATSH-në ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, "një spital në një rreth shumë të vogël ka detyrën e trajtimit të momentit të parë, orientimin e të sëmurit dhe dërgimin e tij në një stacionar të kualifikuar që është qendra e rajonit". Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, sqaron për ATSH-në se, po shkohet drejt rajonalizimit të shërbimit spitalor për dy arsye; për të rritur cilësinë e shërbimit dhe po kështu kapacitetet e shfrytëzimit të spitaleve rajonale. "Spitalet rajonale do të jenë në nivel qarku dhe ne kemi 12 qarqe, ndërsa spitale rajonale do të jenë 13, (pasi është Lushnja e përfshirë), të cilët do të ofrojnë një nivel të caktuar të shërbimit shëndetësor spitalor që korrespondon me nivelin e shërbimit sekondar", tha Pipero. Sipas tij, nga një studim i ndërmarrë për të matur nivelin e dhënies së shërbimit në spitalet ekzistuese rezultoi se më shumë se 30 spitale rrethesh janë inefeciente sa i takon ofrimit të shërbimit shëndetësor. Xhiroja e shtratit është në nivele të ulëta që shkon nga 2-5 % deri në 15 % maksimumi, ndërkohë që një spital duhet të jenë minimumi 65 % që të ketë efikasitet. Po kështu, hulumtimi i 2 muajve më parë, i realizuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, tregoi se spitalet në vend janë joefiçiente në pjesën më të madhe të tyre, sidomos ato bashkiake, të cilët kanë statusin e spitaleve, por në të vërtetë ofrojnë shërbime si në qendrat e kujdesit parësor. Numri i ulët i pacientëve të trajtuar dhe treguesi i ulët i shtratit në disa spitale flet për eficencën e ulët të tyre dhe përdorim joracional të fondeve të alokuara. "Këto janë spitale që marrin fonde dhe nuk japin produkt, ndaj përfundmisht është menduar të kthehen në day hospital (spitale ditore) me maksimumin 5-10 shtretër, ku do të ofrohet ndihmë shëndetësore emergjente", u shpreh Pipero. Ai shton se "në to do të konsiderohen rastet urgjente, do të jepet ndihma e parë dhe më pas secili rast do të referohet në shërbimin shëndetësor të qytetit përkatës, që është mjeku i familjes apo specialisti, apo në spitalin rajonal, në mënyrë që të rrisim efikasitetin e dhënies së ndihmës shëndetësore dhe cilësinë". Nga ana tjetër, MSH ka një tjetër projekt të madh të modernizimit të urgjencës në vend që përfundon fund viti-fillim vitit tjetër me ndihmën e Qeverisë japoneze. "Ky sistem i shërbimit të dhënies së urgjencës do të jetë në nivel rajonal dhe është një sistem i konceptuar në aspektin bashkëkohor, çka do të thotë që një urgjencë apo emergjencë, krahas shërbimit shëndetësor do të marrë dhe atë policor, në rastin kur ka nevojë", sqaron Pipero, sipas të cilit, ky është një kuadër i gjerë i emergjencës dhe në këtë kuadër do të vijë dhe modernizimi i sistemit spitalor. Në këtë mënyrë, sipas tij, "bëhemi racionalë në shpenzimin e parave dhe përfitimin e shërbimit shëndetësor cilësor në shërbim të qytetarit". Por, realizimi i kësaj reforme është një proces i gjatë deri në prekjen e saj nga qytetarët. Megjithatë, drejtuesit e MSH shprehin besimin se kjo reformë, që tashmë ka nisur, do të jetë realitet i prekshëm për të gjithë qytetarët brenda 2-3 viteve./s.s./
KOMENTE