Reportazh/ Lushnjë: Prodhimi Bujqësor Është Mbarë, Por Tregu Nuk E Favorizon
LUSHNJË, 5 korrik /ATSH-Rr.Isufaj/ - Në komunën e Bubullimës, me rreth 9 mijë banorë, rreth 15 nga Lushnja, aktivitetet kryesore janë kryesisht bujqësia dhe emigracioni, por ky i fundit bëhet gjithnjë e më pak i pëlqyer nga banorët e saj.
"Kam punuar 5 vjet emigrant në Greqi. Këtë vit nuk shkova, por mbolla rreth 2 ha shalqi. Prodhimi është i mbarë dhe mendoj të marr rreth 16000 kv. Po të punosh toka është me leverdi. Ajo nuk ta humbet mundin dhe djersën," tha fermeri Petref Darkja.
Petrefi nuk është i vetmi fermer që kthehet nga emigracioni për të punuar pranë fermës së tij. Janë me dhjetra fermerë në zonën e Bubullimës që e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre. Fushat e kësaj komune nuk janë më djerrë si dikur.
"Në komunën tonë dhe disa fshatra përreth janë kultivuar më shumë se 500 ha me shalqi, pa llogaritur qindra ha të tjera me domate, speca, tranguj, barbunja, patëllxhan, bamje, bizele e tjer," tha fermeri Pëllumb Senka, edhe ky i kthyer nga emigracioni.
Përvoja në emigracioni ka bindur disa fermerë se ata mund të fitojnë duke punuar në vendin e tyre.
"Rrallë vende në botë mund të konkurrojnë fushat e Myzeqesë për prodhimin e perimeve dhe kulturave të tjera bujqësore. Ne kemi një tokë të pasur dhe kushte ideale klimaterike. Me një organizim më të mirë fermeri mund të konkurrojë denjësisht në tregjet ndërkombëtare dhe vendi ynë nga importues në kohën më të gjatë të vitit, të kthehet në eksportues," tha Senka.
Sipas fermerëve, ndërsa mjetet e kultivimit janë modernizuar, problem mbetet tregu, marketingu, organizimi.
"Nuk mund të ketë zhvillim të bujqësisë dhe fuqizim të fermerit pa një rrjet të fuqishëm agrobiznesi. Tregtarët e grumbullojnë shalqinin me 8 lekë, kur në treg e shesin me 20 lekë. Ku është leverdia jonë? Sa të na kalbet në parcelë, ne e japim pothuajse në vlerën e kostos. Kjo nuk është e drejtë. Tregtarët e marrin prodhimin atëherë kur është piku dhe ne nuk bëjmë dot pazar," tha Darkja.
"Kjo formë organizimi është së prapthi. Ne punojmë për tregtarët. Kemi parë në botë, fermeri lidhte kontratën me tregtarin që në fazën e mbjelljes. Kur e vilte prodhimin e çonte në magazinat e grumbullimit. Atje malli seleksionohej, amballazhohej, etiketohej, dhe eksportohej ose tregtohej në rrjetin e tregut të brendshëm. Fermeri paguhej me çmimin real. Pra, nuk shfrytëzohej rasti. Hajt se prodhimi është me bollëk. S'ka ku çon e hajt t'ja marim për 5 lekë," tha Gëzim Selimi, nga fshati Imësht.
Fermerët mendojnë se nuk është problem organizimi i fermerëve në mikroferma. Problem është tregu, marketingu dhe magazinat frigoriferike.
"Nuk është se na mungon prodhimi. Vetëm kjo komunë ka rreth 400.000 kv shalqi, me një treg krejt spontan," tha Selimi.
Fermerët pohojnë se prodhimi i tyre është bio, por nuk kundërshtojnë faktin se dozat e helbicideve janë më të shtuara.
"Janë të shumta shkaqet që kanë detyruar fermerin të shtojë dozat e spërkatjeve dhe helbicideve të ndryshëm. Mungesa e një bujqësie të organizuar, natyrshëm ka rritur shkallën e sëmundjeve të kulturave bujqësore. Farat e pa kontrolluara, infeksionet e tokës, janë një tjetër faktor," tha Selimi. Ndërsa shton: "Shpesh helmet stimulohen nga fermeri jo për mbrojtjen e bimëve, por për të përshpejtuar pjekjen e hershme dhe shtimin e prodhimit. Ka mjaft plehra dhe kimikate që ndikojnë në përshpejtimin e pjekjes. Kjo dukuri më shumë vërehet te prodhimet e serave dhe ato të fushave që janë të destinuara për tregun e hershëm. Tani në këtë peridhë pjekja e perimeve është natyrale dhe fermeri nuk ka pse e stimulon atë."/ch/
-
duraku17:38 - 05 Janar 2012isha ne vitin qe lam pas aty pash nje gjigand hambar te boshatisur{tokat},aty pash thegjitha te tokat te boshatisura mjerim isht meduket ishin qenga vitet 80 dhjeta ne kohen kur kishte fatin edhe ca emigrant kosovar te punonin ato fush qe tani ish mbet ne meshiren e zotit.duhet ti kthehemi ate qka ekemi ta ruajm e jo te bejm llogari te kota te jetojm me iluzjone po separ te shiqojm nga tokat tona e mandej djelt tan e bijn ate se qka ne kem ilozionu{endru}.pershendetje duraku nga kos prizreni.flm pun pun vetem pun.