Shënim - Rompuy: Be E Vendsur Në Integrimin Evropian Të Ballkanit Perëndimor
ZAGREB, 5 korrik /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian është i vendosur në arritjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, proces themelor për stabilitetin e këtij rajoni, deklaroi sot presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, gjatë një interviste për të përditshmen kroate ''Jutarnji List''.
"Bashkimi Evropian e ka konfirmuar përmes shumë iniciativave vendosmërinë dhe kujdesin në procesin e zgjerimit dhe në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor", deklaroi Rompuy në intervistën e publikuar në ditën e parë të vizitës së tij në rajon.
Turi i presidentit evropian do të vazhdojë më pas me Slloveninë, Serbinë, Kroacinë dhe me Kosovën.
''E ardhmja evropiane e rajonit mbetet thelbësore për stabilitetin e tij dhe synimi është vazhdimi i qartë dhe hap pas hapi i procesit të integrimit evropian në mënyrën më efikase të mundshme", vazhdoi lideri evropian, i cili shtoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor përbën një "prioritet thelbësor për BE-në".
"BE-ja është e gatshme dhe ka vullnetin e mirë të bashkëpunojë me vendet e rajonit për të çuar më tej procesin e reformave", u shpreh ai.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnjehercegovina, aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin e Evropian, ndërkohë që ndodhen në faza të ndryshe të procesit, megjithëse kanë arritur progres.
Sllovenia është anëtare e BE-së që prej vitit 2004.
Kroacia është vendi që ka avancuar më tepër në perspektivën e saj evropiane dhe Zagrebi shpreson të anëtarësohet në union në vitin 2012.
Kroacia hapi të mërkurën tre kapituj e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat kanë nisur në vitin 2005./
/i.p/