Shkoder: Ekspozohen 60 Fotografi Te Arkitektit Dhe Piktorit, Kolë Idromeno
SHKODËR, 5 Korrik/ATSH-G. Marku/- I njohur nga të gjithë si piktor, arkitekt dhe i pari që ka shfaqur filmin në Shqipëri, artisti Kolë Idromeno u prezantua në një ekspozitë personale me 60 fotografi e çelur sot në Shkodër nga Instituti Kombëtar i Albanologjisë, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve të qytetit.
Mbi 60 fotografi të zmadhuara të artistit Kolë Idromeno kanë tërhequr interesin e madh të qytetarëve shkodranë, mes të cilëve edhe piktorë profesionistë, studjues të artit të pikturës, drejtues të qeverisjes vendore.
Drejtori i Galerisë së Arteve të Shkodër, piktori Artan Draçini tha se "Kol Idromeno, autori i pikturës të Motrës Tone, Dasmës Shkodrane, na shfaqet dhe si fotograf me vlera dhe aftësi artistike". Fotografitë sjellin Shkodrën e qytetëruar, ku ndërthuren shumë kultura, qëndër e njohur në të gjithë Ballkanin.
Draçini tha se kjo ekspozitë me dëshirën për t'i sjellë publikut shkodran pjesë nga vepra fotografike e Idromenos u bë e mundur falë bashkëpunimit me Qëndrën e Studimeve Albanologjike, në arkivin e së cilës ruhet pjesa më e madhe e trashëgimisë fotografike të Idromenos.
"Në këtë ekspozitë shihen gjurmët qytetëruese dhe domethënies së madhe që kishte asokohe Shkodra, portrete të fisnikëve, banorëve të zonave përreth qytetit, udhëhqësve ushtarakë shqiptarë, që luftuan për lirinë, konsujve të shteteve të ndryshme, familjeve shkodrane, klerikëve të ndryshëm, etj", shprehet përgjegjësja e arkivit fotografik në Insitutin Albanologjik të Tiranës, prof. Afërdia Onuzi.
Ndërsa drejtori i Qëndrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, Ardian Marashi, tha për ATSH-në, se "është hera e parë që koleksioni i Idromenos bëhet publik me këto përmasa.". Sipas tij, koleksioni "Idromeno" ruhet në arkivin e fotografisë të Institutit të Kukturës dhe arteve pranë Qëndrën së Studimeve Albanologjike.
"Është një koleksion me rreth 1500 negativa në xham të cilësisë shumë të mirë. Fotot në këtë ekspozitë janë një pjesë e riprodhimeve të tij, i cili në një të ardhme të afërt, me nismën e Qëndrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe Bashkisë në Shkodër mund të kthehet në një album fotografik, përfaqësues, jo vetëm për artin e Idromenos si fotograf, por njëkohësisht, përfaqësues edhe për Shkodrën që ka ruajtur këto vlera dhe sot i bën të vizitueshme", tha Marashi.
Kolë Idromeno lindi në vitin 1860. Ka qenë piktor, skenograf, fotograf, arkitekt, urbanist, muzikant, nismëtar i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri. Prej studios së tij kanë mësuar disa artistë të njohur shkodranë. Me tablotë e Idromenos fillon shkolla realiste shqipatre dhe disa nga veprat e tij sot bëjnë pjesë në thesarin më të çmuar të traditës kombëtare. Personaliteti i gjithanshëm i Idromenos ndikoi edhe në formimin e artistëve pasardhës të periudhës së Pavarësisë dhe më vonë.
Tablotë më të njohura të tij janë "Motra Tone" dhe "Dasma shkodrane". "Motra Tone" u realizua në vitin 1883 dhe qëndroi në shtëpinë e Shkanjetëve, ku ishte e martuar motra e piktorit. Pas vdekjes së Tones, Idromeno e mori pikturën, në kujtim të motrës, dhe e mbajti gjatë gjithë kohës në shtëpinë e tij. Ajo u ekspozua për herë të parë në vitin 1954, pra, 71 vjet pas krijimit të saj./n.m/