English

Shoqëria Civile, Promemorie Për Mbrojtjen E Trashegimisë Kulturore

TIRANË, 5 Korrik / ATSH- Suada Daci/- Përfaqësues të shoqërisë civile, kulturës, medias, qytetarë e dashamirës të trashëgimisë kulturore shqiptare, firmosën sot një Promemorie për ruajtjen dhe evidentimin e saj drejtuar Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, MTKRS-së, etj. Promerorja u miratua pas një diskutimi të gjatë, të organizuar nga Qëndra Shqiptare e Trashëgimisë (Albanian Heritage Center) në një tryezë të rrumbullakët me temë "Trashëgimia kulturore e rrezikuar", ku kërkohet mes të tjerash, rritja e vëmendjes, çlirimi nga bumi i ndërtimeve pa leje, përfshirja e shoqërisë civile, marrja parasysh e pasurive monumentale në planifikimet urbane, etj. Drejtuesi i Qendrës, Artan Lame, tha se, "trashëgimia jonë kulturore nuk është kolosale, por edhe ajo pak që është, vazhdon të rëndohet pa reshtur Situata aktuale e rënduar qoftë nga kriza ekonomike, qoftë politike, bën që vëmendja mbi të tilla realitete të spostohet dhe të kalohet në plan të dytë". Lame vuri në dukje se një faktor që po ndikon në përkeqësimin e trashëgimise kulturore është edhe decentralizimi i pushtetit. "Decentralizmi i pushtetit ka sjellë në shumë raste kalimin e përgjegjësive nga një pushtet në tjetrin, pa asnjë kontroll të mëtejshëm se çfarë do të ndodhë me këto trashëgimi", tha Lame. Ndërsa artisti Maks Velo kërkoi që Promemories t'i shtohet dhe pjesa historike. "Kur u festua 45 vjetori i Institutit të Monumenteve nuk u përmendën ata që e themeluan. Popa dhe Kuzanova janë ata që ruajtën vlerat tona kulturore", tha ai. Analisti Fatos Lubonja duke çmuar se trashëgimia kulturore është pjesë e përbashkët dhe që i takon të gjithëve, vlerësoi se "trashëgimia kulturore është një nga faktorët e rëndësishëm të asaj që quhet mirëqënie"./a.ke/
KOMENTE