Slloveni - Presidenti I Be-Së I Shqetësuar Për Dhunën Në Veri Të Kosovës
SLLOVENI, 5 korrik /ATSH-AFP/ - Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy shprehu shqetësimin e tij për shtimin e dhunës në veri të Kosovës, gjatë vizitës në Slloveni, njoftoi agjencia sllovene e lajmeve STA.
Pas një takimi me kryeministrin slloven, Borut Pahor në Brdo pri Kranju, pranë Lubjanës, dy funksionarët e lartë shprehën shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në Kosovë.
Një shpërthim shkaktoi një të vdekur dhe disa të plagosur të shtunën e kaluar në Mitrovicë, në veri të Kosovës.
Sot në mëngjes u plagos me armë një deputet serb.
''Sllovenia do të bëjë përpjekje për nxitjen e dialogut'', theksoi Pahor.
Van Rompuy deklaroi se një nga qëllimet e vizitës së tij ishte rikonfirmimi që e ardhmja e vendeve të Ballkanit ishte në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Sllovenia është i vetmi vend i ish-Jugosllavisë që është integruar në Bashkimin Evropian.
Presidenti i Bashkimit Evropian përshëndeti gjithashtu miratimin me referendum, në Slloveni, të një marrëveshjeje arbitrazhi që do të zgjidhë një mosmarrëveshje kufitare prej 20 vjetësh me Kroacinë fqinje./
/ec/ a.jor.