Speciale-Botëror/ Çerekfinalet, Sfidat Ku Nuk Ka Munguar Kurrë Spektakli Dhe Emocionet
- Nga Angli - Brazil në 2002-in, te Argjentinë-Angli në 1986-ën. Sfida ku nuk kanë munguar golat dhe spektakli -.
TIRANË, 5 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Në më të shumtën, në çerekfinale imponohen futbollistët e mëdhenj, duke e kthyer edhe ankthin e rezultatit në një problem të madh psiko- fizik. Ky skenar është përsëritur në të gjithë botërorët. Sidoqoftë, 10 çerekfinalet më të bukura në të 19 të botërorët, bashkë me këtë që po përfundon në Afrikë të Jugut, kanë qenë:
- 26 qershor 1954: Austri - Zvicër 7 - 5
Jo pa arsye është quajtur "Hitzeschlacht von Lausanne" (Beteja e nxehtësisë së Lozanës). Atë ditë termometri shënonte 40 gradë Celsius. Të pamësuar me kësi temperaturash afrikane, portierët e të dy skuadrave ankoheshin me arsye. Ai zviceran shprehej se gjatë të gjithë ndeshjes ndihej i verbuar, ndërsa kolegu austriak, sikur nuk ndodhej në portën e tij. Nga kjo përfituan futbollistët e tjerë, duke shënuar një rezultat tenistik, ku Teodor Vagner dhe Zep Hygi, spikasin me nga një tregolësh. Deri tani mbetet rekordi i golave të shënuar në një ndeshje botërori.
- 10 qershor 1962: Brazil Angli 3 - 1
Para se të ngjitej në majën e futbollit botëror, Brazili duhet të kalonte mbi Anglinë. Brazili, i udhëhequr nga Didi, Vava, Zagallo dhe Garinça (autor i një dygolëshi), triumfon mbi Anglinë. Kjo ndeshje e bukur ka hyrë në histori edhe për një gjest të çuditshëm, një qen i zi në fushë. Prania e tij ndërpreu ndeshjen dhe Xhimi Grivsi u ul para qenit, e ndoqi atë, duke e marrë në krahë me një veprim të shpejtë. Dhe ky ishte një prej "aksioneve më të bukura" të asaj ndeshjeje.
- 23 korrik 1966: Portugali - Koreja e Veriut 5 - 3
Çerekfinalistë të papritur, të çuditshëm, koreanoveriorët udhëhiqnin 3 0, në minutën e 25 të, për habinë e të gjithë botës. Por para tyre gjendej një "Top i Artë". Thuajse i vetëm Eusebio e merr mbi shpatulla atë ndeshje, duke shpartalluar mbrojtjen koreane: katër herë e dërgon topin në rrjetën e tyre. "Perla e Zezë" e përfundon atë turne si shënuesi më i mirë i botërorit.
- 21 qershor 1986: Brazil - Francë 1 - 1 (3 - 4 p.)
Larg prakticitetit të RFGJ së, francezët dhe brazilianët paraqesin një futboll, thuajse utopik, dhe pse kishin lojtarë të klasit të lartë, si Sokrates dhe Platini. Në Guadalahara, romantizmi pushton futbollin, duke harruar tërësisht atë të "Catenaccio"-s. Në ekzekutimin e 11 metërshave shkëlqen portieri francez, Zhoel Bats.
- 22 qershor 1986: Argjentinë Angli 2 - 1
Nuk ka se si të ketë një ndeshje më legjendare. Tejet të motivuar për të marrë revansh, për luftën e humbur të Ishujve Folkland Malvine, argjentinasit kërkonin "skalpet" e anglezëve. Atë ditë, Maradona shfaq karakterin dhe gjeninë e tij futbollistike. Ai e filloi me të famshmen "Dora e Zotit", një turp për futbollin, dhe e përfundoi me një gol të mrekullueshëm, ndoshta më i bukuri në të gjithë botërorët, që u quajt "goli i shekullit". Në 10 sekonda dhe 60 metra, ai kalon si kukulla gjashtë futbollistë anglezë për të dalë i vetëm para Shiltonit. Bota përkulet para Maradonës.
- 1 qershor 1990: Angli - Kamerun 3 - 2
Në 1990, Kameruni bëhet ekipi i parë afrikan që arrin në një çerekfinale botërorësh. Para kanë një "kockë të fortë": Anglinë e Bobi Robsonit. Shtatë minuta para përfundimit të ndeshjes, afrikanët kryesonin 2 1, para se të shkaktonin një 11 metërsh. Britanikët barazojnë 2 2. Teksa loja po përfundonte anglezët kalojnë përpara me një tjetër 11 metërsh të realizuar nga Geri Lineker, që ishte i dërrmuar fizikisht. Në Napoli, atë natë, futbolli afrikan hodhi bazat e një ringritjeje të madhe dhe të një të ardhmeje të shkëlqyer, si profetizonte Roxher Milla.
- 9 korrik 1994: Holandë - Brazil 2 - 3
Një pjesë e parë modeste nuk premtonte për asgjë të bukur. Në 45 minutat e dyta u vendosën gjërat në Teksas. Bebeto dhe Romario, të papërmbajtshëm, ndëshkojnë të pafajshmin Ed de Goy, të braktisur nga mbrojtja e tij, në të 53' dhe në të 63'. Një minutë më vonë, Denis Bergamp ngushton rezultatin me një goditje klasi të lartë. Pastaj një goditje me kokë e Aron Uinterit, bën që holandezët të barazojnë 2 2, kur kishin mbetur më pak se 15 minuta lojë. Holandezët besojnë shumë te fitorja dhe shtojnë sulmet, por për fat të keq të tyrin edhe gabimet në portën kundërshtare dhe Branko vulos fitoren braziliane me një goditje predhë nga jashtë zonës. Një ndeshje e mrekullueshme!
- 4 korrik 1998: Holandë - Argjentinë 2 - 1
Pasi Franca kualifikohej, duke mundur me vështirësi italianët, në stadiumin "Vélodrome" ndesheshin Argjentina dhe Holanda. Holandezët kishin si rrallëherë një mbrojtje të konsoliduar me në krye Stamin dhe Reiziger. Përpara në sulm, Denis Bergkamp jep një "recital", më të bukurin e karrierës së tij. Në fillim, "solisti" shërben mrekullisht me kokë për Patrik Klajvertin për golin e parë. Spektakli nuk ndalon këtu. Klaudio Lopez shënon golin e barazimit, para se Ortega dhe Batistuta të trondisnin shtyllat. Në të 80', Bergkamp bën zap një pasim të gjatë në zonën e kundërshtarit. Me një kontroll gjenial të topit magjeps me lëvizje Ajalan, duke e dërguar sferën në rrjetë, me një goditje të rrufeshme. Një "xhevahir" i përpunuar si duhet.
- 21 qershor 2002: Angli - Brazil 1 - 2
Mund të ishte fare mirë, Koreja e Jugut Spanjë, por më mirë jo. Pas golave të Ouenit, ende i frikshëm në atë kohë dhe gjenialit Rivaldo, Dinjo do të bënte ndryshimin. Goditje e lirë në të mirë të Brazilit, disi e largët. Kapiteni Kafu vëren se portieri veteran anglez, Simën, ishte shumë i shpërqendruar duke u pozicionuar jo si duhet, dhe ia kalon topin Ronaldinjos. Dinjo, si dinte ai, i jep një harkim topit që paçka largësisë, e gjen të papërgatitur Simënin. Si duket, ai mallkim i portierëve anglezë nisi më 2002 dhe duket se nuk po davaritet më.
- 1 korrik 2006: Francë - Brazil 1 - 0
Në qershor 2006, të gjithë thonin se konstelacioni i yjeve brazilianë, do ta kishte si "bukë me djathë" formacionin francez. Por, ndodhi mrekullia, falë një të mrekullueshmi, Zinedin Zidan. Mjeshtri francez imponohet në mesfushë ndaj atyre brazilianë, duke i treguar një mënyrë të re "të vallëzimit të sambës" me top, e papapë dhe e papërfytyruar edhe nga ata vetë. Një ndeshje gjeniu, rrethuar nga gjëra të thjeshta, atë që ende nuk ka mësuar apo nuk di ta bëjë Kristiano Ronaldo. Edhe një herë Franca del mbi Brazilin.
Në këtë listë mund të përfshiheshin edhe ndeshjet e Botërorit "Afrika e Jugut 2010", Holanda Brazil 2-1 dhe Argjentinë Gjermani 4-0, dy çerekfinale të denja për të hyrë ne histori. /a.ke/