English

Sport-Soft News/ Kryeministri Berisha Uron Tifozët Gjermanë Për Fitoren Ndaj Argjentinës

TIRANË, 5 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - "Ethet" e Kupës së Botës, "Afrika e Jugut 2010" nuk kanë lënë pa prekur edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili, ashtu si një javë më parë, edhe në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, komentoi ndeshjet e fundit të kampionatit botëror. Berisha nuk mund të linte pa përmendur lojën e shkëlqyer të Gjermanisë në çerekfinalen ndaj Argjentinës. "Duhet të përgëzoj të gjithë tifozët e Gjermanisë, sepse në memorien time ajo ishte ndeshja më e bukur që unë kisha parë ndonjëherë. Dhe në dallim nga ju të dashur tifozë unë e kisha të lehtë sepse natyrisht Gjermania dëshmoi shkallën më të lartë të koordinimit, bashkërendimit dhe përgatitjes fizike të një mbrojtjeje të pakapërcyeshme dhe të një sulmi ndër më të suksesshmit, gjë që bëri që Argjentina me gjithë atletizmin e saj të mrekullueshëm, jo të mundej, por të shkatërrohej në fushë", tha Berisha. "Edhe ndeshja e Anglisë me Gjermaninë ishte ndeshje e madhe, por për mua kjo ishte finalja", u shpreh Berisha. Në fund Kryeministri e mbylli me një batutë. "Për të qenë i sinqertë pata 25 minuta që isha me Argjentinën. Nësë do të kishte fituar Argjentina sot do të isha duke folur për lojën e saj", përfundoi Berisha./s.s./
KOMENTE