Prishtinë, 5 Korrik, NOA – Komandanti Suprem i Forcave të Përbashkëta për Evropë në NATO, admirali amerikan Xhejms Stavridis, sot ndërmerr një vizitë të veçantë në Kosovë.
Lajmi konfirmohet nga burime të Aleancës së Atlantikut Verior, sipas të cilave, Stavridis do të takohet me drejtuesit e misionit të NATO-s në Kosovë si dhe do të japë një konferencë shtypi në orët e pasdites, njoftojnë burimet e Aleancës.
Ndërkaq, në takime të ndara paradite ai parashikohet që të takojë edhe presidentin Fatmir Sejdiu, si dhe kryeministrin Hashim Thaçin. Në një komunikatë për media të KFOR-it, thuhet se admirali Stavridis do të informohet mbi situatën aktuale nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral lejtnant Markus Bentler. Që të dy, pasdite do të mbajnë një konferencë të përbashkët për gazetarë në pjesen ushtarake të Aeroportit të Sllatinës.
Vizita e tij kryhet në një kohë kur Mitrovica u përfshi javën e kaluar nga një sulm i serbëve ku mbeti i vrarë një prej tyre.
n.e/NOA