English

Studim- Roli I Shoqërisë Civile I Kufizuar

-Nevojitet krijimi me ligj i një Këshilli Bashkëpunimi- TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/. - Shoqëria civile, tërësia e mbi 800 organizatave dhe institucioneve qytetare dhe sociale, të cilat përmes ndërmjetësimit synojnë zbutjen e impaktit të shtetit dhe biznesit mbi qytetarin, ka rol të kufizuar në Shqipëri. Ky është përfundimi i studimit për promovimin e Indeksit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë, zbatuar nga IDN, me mbështetjen e PNUD-it në Shqipëri dhe nën udhëheqjen e CIVICUS, i publikuar sot në Konferencën Kombëtare: "Shoqëria Civile, sfidat e sotme, rruga për të ardhmen", në Hotel "Tirana International". Studimi ku janë anketuar 100 organizatat më aktive, është përqëndruar në rëndësinë dhe rolin e shoqërisë civile, me synim krijimin e një baze për forcimin e funksionit të saj, që është i domosdoshëm për demokratizimin e vendit. Aktualisht shoqëria civile, sipas Drejtorit Ekzekutiv të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN), Sotiraq Hroni, operon në një mjedis mesatarisht ndihmues, me kapacitete relativisht të zhvilluara. Rezultatet e studimit tregojnë se "niveli i ulët i aktivizimit qytetar dhe performanca e dobët e shoqërisë civile, e orientuar drejt financimeve të huaja, janë arsyet kryesore për ndikimin e kufizuar në lidhje me proceset politikbërëse dhe zhvillimin social". 75.3% e organizatave të anketuara i konsiderojnë prioritetet e donatorëve mjaft të rëndësishme për formëzimin e axhendës së shoqërisë civile. Më pak se 50% prej tyre i konsiderojnë të rëndësishme nevojat e grupeve të ndryshme sociale. Vetëm 42.1% e organizatave të anketuara refuzojnë të japin informacion për të dhënat e tyre financiare, ndërsa 8% shprehen se vendimet brenda organizatës merren nga anëtarë e saj. Sipas Hronit, vetëm 18.4% e qytetarëve janë anëtarë aktivë të organizatave sociale të shoqërisë civile. Skepticizmi i përhapur tek qytetarët ndaj angazhimit dhe opinioni mbizotërues se "ndryshimi vjen nga lart", duke se janë pasojë e shqetësimeve në lidhje me qeverisjen e shoqërisë civile, por edhe me nivelin e ulët të besimit tek proceset dhe aktorët politikbërës. Pavarësisht nivelit të ulët të angazhimit qytetar në Shqipëri shumica e qytetarëve, 57%, janë të hapur ndaj mundësive të përfshirjes, nëse gjykojnë se kanë besim tek organizatorët. Nisur nga kjo situatë, Hroni nënvizoi nevojën për krijimin me ligj të një Këshilli bashkëpunimi me shoqërinë civile, si një iniciativë qytetare e bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Bashkimi Evropian e shikon forcimin e shoqërisë civile si të domosdoshëm për demokratizimin dhe integrimin. Shefi i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, tha se "ne duhet të marrim një qasje afatgjatë për financimin e shoqërisë civile, me qëllim ngritjen e një strategjie të mirë, duke i kushtuar më shumë rëndësi kontekstit social dhe politik ku organizatat kryejnë aktivitetin e tyre". Lohan vuri në dukje se aktorët shtetërorë duhet të thellojnë qasjen pjesëmarrëse për shoqërinë civile. "Por edhe organizatat e shoqërisë civile shpesh konsiderohen si burime për përfitime financiare", vlerësoi Lohan, duke shtuar se organizatat duhet t'i kushtojnë më tepër vemendje aktivitetit të shoqërisë civile. Për forcimin e rolit të shoqërisë civile, Koordinatorja e përherëshme e OKB-së dhe Përfaqësuesja e Përherëshme e PNUD-it në Shqipëri, Gulden Turkoz- Cosslet, pohoi se "do të ndihmojmë për aksionet e ndryshme në mbështetje të fuqizimit të shoqërisë civile, përmirësime në qeverisje dhe politikat e orientuara drejt qytetarit". Sipas drejtueses së Departamentit të Strategjive për Investime të Huaja në Kryeministri, Valbona Kuko, aktiviteti i shoqërisë civile çdo ditë e më shumë po merr një rol parësor në zhvillimin e politikave të qeverisjes. Vitet e fundit, vuri në dukje ajo, qeveria ka marrë hapa themelorë në ngritjen në një nivel të ri të bashkëpunimit të saj me shoqërinë civile, duke krijuar një fond të veçantë në 2007, mbështeti në 2009 miratimin e ligjit për Agjencinë e Mbështetjes së shoqërisë civile dhe draftimin e kartës së Shoqërisë Civile si një dokument politik. Funksionimi i shoqërisë civile në Shqipëri nisi pas viteve 90'. Ideja e shoqërisë civile u shfaq për herë të parë në Europën intelektuale të shek. XVIII, ku njerëz të shquar nisën të mendonin për një rrymë vetëvepruese në treg dhe në shoqërinë njerëzore. Filozofë të mëdhenj skocezë si Adam Ferguson, Adam Smith dhe David Hume e quajtën këtë formacion të ri social "Shoqëri Civile". Me kalimin e kohës roli i saj u bë mjaft i dobishëm. Shoqëria civile moderne është instrumenti ndërmjetës që shmang konfliktin e interesave mes shtetit dhe individit. /s.s./
KOMENTE