Tetë Radarë Në Mbështetje Të Policisë Rrugore Në Të Gjithë Vendin
- Përurohet Njësia e Kontrollit të Autostradave -
TIRANË, 5 Korrik /ATSH-Mira Shkurta/ -Të gjitha automjetet që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara nëpër rrugët kryesore dhe autostradat e territorit të Shqipërisë, nga sot e tutje do të diktohen nga radarë të vendosur në njësinë e Kontrollit të Autostradave, në Laprakë të Tiranës.
Qëllimi kryesor është ulja e numrit të aksidenteve rrugore në vend, që pësojnë një rritje gjatë sezonit veror, kur dihet se numri i automjeteve në qarkullim rritet me kthimin e përkohshëm në atdhe të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.
Njësia u përurua të hënën nga Ministri i Brendhshëm Lulzim Basha, i cili theksoi se ky është një model që aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe shërben për identifikimin e çdo automjeti që qarkullon në territorin e Shqipërisë, qofshin ato me targa të huaja. Kjo njësi do të jetë në ndihmë të policisë rrugore dhe funksionimi i saj pritet të ulë ndjeshëm aksidentet rrugore.
Ministri Basha informoi se kjo njësi është pajisur me tetë radarë modernë, të cilët brenda një minute bëjnë të mundur identifikimin e targave të pesë- gjashtë automjeteve, shkelëse të rregullave të trafikut, ndërkohë që në mënyrë automatike pritet dhe masa ndëshkimore për drejtuesin e mjetit.
"Kjo njësi do t'i vijë në ndihmë çdo njësie territoriale të Policisë Rrugore, sipas nevojës, në rastet ku ka trafik të jashtëzakonshëm, sikurse është ai gjatë sezonit turistik, apo kur ka probleme të veçanta me trafikun, sikurse është ai i punimeve të fundit që po bën bashkia e kryeqytetit. Kudo ku ka probleme, kjo njësi do të ndërhyjë me profesionalizmin e saj për t'i ardhur në ndihmë policisë rrugore që mbulon atë territor", tha Basha i cili nënvizoi se kjo masë bën pjesë në Strategjinë e Policisë së Shtetit, për të dhënë kontributin e saj në uljen e aksidenteve dhe fataliteteve në rrugët e Shqipërisë.
Kjo njësi, tha ai, do të japë efektet e duhura në uljen e numrit të aksidenteve, në trafik, por do të rrisë dhe ndjeshmërinë e qytetarëve, përgjegjshmërinë e tyre për sjelljen në rrugë.
Nga ana tjetër njësia e përuruar sot është e lidhur on - line me të gjitha sistemet e tjetra të Policisë së Shtetit dhe organet e tjera shtetërore që do të thotë se të dhënat e drejtuesit e mjetit që ka shkelur kodin rrugor shqyrtohen dhe nga këto institucione. Në këto kushte nëse ai nuk ka shlyer detyrimet për gjoba të ndryshme, apo taksat e shtetit është i detyruar t'i paguaj ato.
"Është një shërbim që siguron transparence të plotë dhe shmang çdo tjetërsimi të të dhënave të konstatuara nga Policia Rrugore", garantoi Basha.
Me përfundimin e procesit të dixhitalizimit të adresave, çdo gjobë do të dërgohet në adresën e shkelësit të Kodit Rrrugor, sikurse ndodh në të gjitha vendet e Evropës. /s.s./