English

Tirana, Qyteti Mes Kaosit Të Trafikut E Ndotjes..

(Vazhdim) TIRANË, 5 Korrik /ATSH-Eriola Çuko/ - Para viteve '90 njerëzit që shurdhoheshin ishin punëtorët e industrive, ndërsa sot problemi është i të gjithëve. Niveli i lartë i zhurmave është kthyer në shqetësim për shumë banorë. Ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve janë dukuri që tregojnë jo vetëm nivelet e larta të zhurmave në mjediset e banimit, të çlodhjes dhe ato urbane në përgjithësi, por janë tregues i efekteve të tyre mbi shëndetin në përgjithësi. Zhurmat krijohen nga aktivitete private, nga qarkullimi i makinave, apo nga muzika e lartë që luajnë lokalet e natës. Ankesat e shumta të banorëve të zonës së ish-bllokut kanë detyruar Policinë Bashkiake dhe atë të Rendit të ndërmarrin fundjavën që sapo kaloi një aksion, që çoi në mbylljen e disa lokaleve. Shkak ka qenë muzika e lartë pas orës 23.00, kohë pas së cilës ligji nuk lejon zhurmat përtej normës së lejuar. Por, ky aksion është shtrirë vetëm në një pjesë të lokaleve, ndërsa kontrollet do të vazhdojnë. Por, boritë e makinave janë një tjetër burim i zhurmave, sidomos me rëndimin e trafikut kohët e fundit. "Boritë e makinave janë të tmerrshme, sidomos tani me rëndimin e trafikut në sheshin 'Skënderbej'", thotë një qytetar, banor i rrugës së "Durrësit" në Tiranë. "Boritë janë tmerrësisht marramendëse, përdoren në çdo kohë pa asnjë kriter. Ndonjëherë kur je duke drejtuar makinën të bën përshtypje se sapo hapet semafori jeshil, makina e dytë në radhë i bie borisë, pa i lënë kohë të parës të niset. Ky është lloji i zhurmës që më shqetëson mua aty ku jetoj", shton ai. Veç kësaj, një problem janë edhe sinjalet kundër vjedhjes, lokalet, pub-et, etj. Në Agjencinë Rajonale të Mjedisit, Tiranë, qytetarët janë ankuar edhe ndaj zhurmës që shkaktohet nga ushtrimi i aktivitetit të furrave të bukës. Ndërsa, në Institutin e Shëndetit Publik specialistët thonë se ankesat kanë qenë edhe për zhurmën e shkaktuar nga pompat e ujit në pallate. Niveli kufi i zhurmave varet nga zonat ku do të bëhen matjet. Në rrugët kryesore dhe duke qenë sa më në qendër niveli duhet të jetë më i ulët. Niveli kur fillon të çrregullohet gjumi është 42-45 dB, ndërsa kur niveli është mbi 80 dB, atëherë shkohet drejt një shurdhimi të plotë. Por, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndarë nivelet, sipas zonave ku gjenerohet zhurmë. - Mbetjet urbane - Mbetjet urbane janë një tjetër problem madhor në kryeqytetin shqiptar. Menaxhimi i tyre funksionon vetëm në pjesën qendrore të qytetit, ndërsa lë për të dëshiruar në zonat periferike. Tirana vuan sidomos në sistemin e përpunimit të mbetjeve, që e ka kthyer në kontribuesin kryesor të mbetjeve në hapësirat e tjera përreth. Sipas specialistëve, "për të patur sukses në këtë proces duhet më shumë punë në drejtim të sensibilizimit të qytetarëve, si dhe projekte më të organizuara". Një anketim i ndërmarrë tek banorët e kryeqytetit nga lëvizja mjedisore "Ekolëvizja", tregoi se projektet e ndryshme për ndarjen e mbetjeve urbane që në burim, të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, kanë rezultuar të pasuksesshëm. Rezultatet e anketimit treguan se në pjesën më të madhe njerëzit e njohin si proces ndarjen e mbeturinave dhe riciklimin e tyre, si dhe kanë dijeni për përpjekjet që janë bërë për grumbullimin e diferencuar në disa zona të qytetit të Tiranës, por mendojnë se kjo ka qënë një veprimtari e dështuar që nuk ka dhënë rezultat. Rreth 88 % e banorëve të intervistuar mendojnë se projektet kanë dështuar që në nisjen e tyre, për mungesën e organizimit, duke u lënë në 'mëshirën' dhe dëshirën e banorëve të zonave ku u vendosën kazanët për grumbullim të diferencuar. Ndërkohë, rreth 46 % e të anketuarve paraqitën vërejtje se, megjithë sasinë dhe vëllimin e madh që zenë mbetjet plastike, në projektet pilot nuk u parashikuan kazanë të veçantë për këto mbetje. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se në Tiranë gjenerohen rreth 228 mijë ton mbetje urbane në vit, ose 0.294 ton për banorë, ndërkohë që një sasi e madhe mbetjesh vijnë nga ndërtimet. Specialistët gjykojnë se administrimi i mirë i mbetjeve urbane (përfshirë dhe mbetjet nga ndërtimet) ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mjedisit dhe shëndetin e njerëzve. - Ç'duhet bërë? - Situata mjedisore në kryeqytetin shqiptar tregon sesa ka për të bërë, por faktori kryesor që duhet të reagojë është pikërisht ai që menaxhon kryeqytetin, autoriteti i Bashkisë së Tiranës. "Ne kemi pasur grupe të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës, që kishin për qëllim të ndanin punën midis MMPAU dhe Bashkisë", thotë zv.ministri i Mjedisit, Bino. Sipas tij, nga ana e Bashkisë në vite janë bërë vetëm punime në infrastrukturë, ndërkohë që janë harruar nyjet lidhëse të infrastrukturës që janë urat, mbikalimet, nënkalimet, po kështu investimet në hapësirat e gjelbëra, investimet për transport publik modern, investimet për transport alternative, sikurse ai për biçikletat dhe këmbësorët, që të jenë funksionalë dhe jo vetëm investim për shfaqje. Por, ndërsa MMPAU ka vendosur gjobë për fillimin e punimeve pa leje mjedisore në sheshin "Skënderbej", Bashkia e Tiranës e ka ankimuar atë në Gjykatë. Nga ana tjetër, punimet vazhdojnë, edhe pse është kërkuar pezullim i punimeve në sheshin "Skënderbej"./s.s./
KOMENTE