English

Universitetet- Prurjet Më Të Mëdha Të Maturantëve Nga Tirana Dhe Fieri

-Mbetet i preferuar Universiteti i Tiranës- TIRANË, 5 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Të10 degët universitare më të preferuara nga studentët gjenden në Universitetet e Tiranës, ndërsa prurjet më të mëdha të maturantëve vijnë nga Tirana dhe rrethi i Fierit. Duke iu referuar të dhënave në databazën e Maturës Shtetërore për harkun kohor 2007-2009, specialistja në Agjencisë së Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), Edlira Bellova tha sot për ATSH-në se, fakultete e preferuara janë të Mjekësisë, Ekonomisë dhe Inxhinierive të Universitetit Politeknik. "Vihet re se vendin e parë për sasinë e pikëve të fituara e mban Stomatologjia, e ndjekur nga Farmacia për të tre vitet, kurse degët e tjera kanë lëvizur në renditje". Kështu, Mjekësia tashmë renditet pas Informatikës Ekonomike, ndërsa vlerësohet se që në vitin 2008 në renditje janë edhe degë të Shkencave Sociale. "Në vitin 2007 shfaqeshin primare degët e mjekësisë dhe inxhinierisë", shpjegon Bellova, sipas të cilës vihet re që dega e informatikës nuk është më në renditjen e dhjetëshes së parë në vitet 2008 dhe 2009. Të dhënat e përftuara nga Matura Shtetërore, tregojnë se në vitin 2009 të gjitha degët e renditura patën një rritje të sasisë së pikëve. Kështu ndodhi dhe për vitin 2008, përveç Inxhinierisë Elektronike dhe Teknik i lartë laboratori, dy degë, të cilat në 2008 patën ulje pikësh, në krahasim me 2007. Gjithsesi, Bellova, vë në dukje se "është e rëndësishme për një maturant që kur të bëjë zgjedhjen e tij, të ketë të qartë që jo çdokush mund të kërkojë Stomatologji, Farmaci, Financë, etj, sepse që të kërkohen këto degë nuk mjafton vetëm dëshira, por edhe merita, pra sasia e pikëve që secili grumbullon". Ndërsa pohon se prurjet më të mëdha të studentëve janë nga Tirana dhe Fieri, Bellova shton se "duke patur parasysh që rrethet e tjera kanë një sasi më të vogël konkurrentësh, nuk mund të themi që nxënësit më cilësorë janë ata që vijnë nga Tirana apo nga Fieri". Për degën universitare të Financës, të dhënat flasin se shumicën e fituesve e ka sjellë Tirana. Nga një paraqitje grafike për konkurrentët e Tiranës dhe të rretheve të tjera, vihet re që raporti i fituesve nga Tirana në krahasim me kërkesat, krahasuar dhe me rrethet, nxjerr përfundimin se sasia e fituesve nga Tirana krahasimisht me rrethet, i përshtatet kërkesave. Bellova tha se "arrijmë në përfundimin që Tirana sjell në degët më të kërkuara atë sasi maturantësh që i takon të sjellë, ndërsa nuk ka dallime në cilësinë e maturantëve të rretheve, krahasuar me Tiranën". Në lidhje me prurjet nga shkollat e ndryshme të Shqipërisë nga vihet re që numri i fituesve nga shkollat e fshatit për këto degë është pothuajse i papërfillshëm krahasuar me ato qytetit. Më i ndryshëm është raporti midis shkollave publike dhe jopublike. Matura 2009 ka sjellë nxënës më cilësorë në degët me sasi pikësh më të lartë se viti 2008, 2007. "Matura Shtetërore jo vetëm është konsoliduar në vite, por ka krijuar edhe eksperiencën pozitive të pranimeve në shkollat e larta", vlerëson Bellova. Ajo e quan mjaft pozitive faktin se tashmë është krijuar një lidhje e natyrshme mes përfundimit të shkollës së mesme dhe zgjedhjes për në universitet, duke i parë si një proces në vazhdimësi në rrugën e gjatë të shkollimit. /e.gj//n.m/
KOMENTE