English

Autoriteti i Ushqimit, inspekton kushtet e higjenës në furrat e bukës

Tiranë, 6 korrik, NOA – Inspektoriati i Kontrollit Ushqimor dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kanë patur në qendër të inspektimit të tyre sot furrat e prodhimit të bukës, në tërë zonën që përfshin “Rrugën e Kavajës” deri në Kombinat.

Ky kontroll gjatë stinës së nxehtë sipas autoriteteve të ushqimit, bëhet për të parë kushtet higjieno-sanitare të ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore, evidentimin e problemeve të sigurisë dhe cilësisë së produkteve ushqimore dhe për të marrë masat e duhura për eliminimin e fenomeneve, që cënojnë shëndetin dhe interesat e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg.

Sikundër thonë autoritetet kontrollet në furrat e bukës do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Duke patur si pikësynin problematikën e prodhimit të bukës, inspektorët e ushqimit kontrolluan në furrat e kësaj zone lëndën e parë, dokumentacionin shoqërues, siç janë çertifikata e origjinës dhe ajo e cilësisë, kushtet e magazinimit, të ruajtjes dhe përpunimit dhe cilësinë e sigurinë e produktit përfundimtar.

Nga inspektimi në terren rezultoi se furrat e inspektuara të bukës në zonën e “Rrugës së Kavajës” deri në Kombinat kishin kushte të mjaftueshme të sigurisë ushqimore.

Por, inspektorët panë nga afër edhe kushtet higjieno-sanitare të ambienteve ku prodhohet buka, kushtet tekniko-teknologjike të këtij procesi, kushtet higjieno-sanitare të mjeteve të punës, kushtet higjenike dhe pajisjen e stafit të operatorëve të biznesit me librezë shëndetësore dhe përgatitjen e tyre profesionale.

Mësohet se përparësi pati dhe inspektimi sa i përket eliminimit të faktorëve që çojnë në shfaqjen e sëmundjes së patates, e cila në kushtet e temperaturave të larta bëhet me evidente dhe kërkon një përkujdesje të veçantë.

Inspektorët kërkuan nga prodhuesit e bukës që të zbatojnë me rreptësi normat tekniko-teknologjike dhe higjieno-sanitare për të bërë të mundur parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Gjithashtu u morën mostra për të analizuar lëndën e parë në rastin konkret miellin, si dhe produktin përfundimtar, bukën.

AKU lajmëron se do të vijojë gjatë këtyre ditëve kontrollet për të garantuar sigurinë ushqimore.

mit/NOA

KOMENTE