Tiranë, 6 Korrik, NOA - Reforma në sistemin e inspektimit, si një nga reformat më të rëndësishme në fushën e tregut dhe të ekonomisë, sjell ndryshime shumë të mëdha dhe të gjithanshme, para së gjithash në parimin e funksionimit të këtij sistemi,
Kështu është shprehur sot kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Task-Forcës për reformën rregullatore, duke theksuar se zvogëlimi i numrit të inspektorateve nga 36 në 11 të tilla, pa zvogëluar funksionin e tyre, ka qenë një ndër konkluzionet më të drejta.
Sipas tij, vendosja e këtyre inspektoriateve në një ligj horizontal siguron aplikimin e standardeve më të larta evropiane dhe transparente.
Duke e cilësuar inspektimin në tërësi, një sistem jetik në zhvillimin e biznesit, për mbrojtjen e interesave të tij dhe për mbrojtjen e interesave të konsumatorit, aitheksoi se domosdoshmëria për reformën e këtij sistemi është shprehur nga të gjitha agjencitë e vendit dhe të gjitha ministritë.
“Vendosja e këtyre inspektimeve mbi bazën e një ligji horizontal, pra unifikimi i kritereve, standardeve, veprimtarisë së tyre, përbën një risi tjetër madhore të sistemit të inspektimit që vendoset në Shqipëri”, shtoi ai.
Në aspektin ligjor, kryeministri theksoi se duhet të vazhdojë puna intensive për plotësimin në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, por sa më mirë të të gjitha akteve nënligjore të domosdoshme për funksionimin e sistemit të ri të inspektimeve.
“Grupi i punës ka sjellë këtu variantin përfundimtar në disa nene, me dy, tre opsione. Duhet të vazhdojë puna intensive për plotësimin në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, por sa më mirë të të gjitha akteve nënligjore të domosdoshme për funksionimin e sistemit të ri të inspektimeve. Duhet të fillojë puna paralelisht për vendosjen e tyre mbi baza dixhitale”, theksoi ai.
n.e/NOA