Botëror-Soft News/ Oktapodi Orakull Zgjedh Spanjën Fituese Të Gjysëmfinales
TIRANË, 6 Korrik /ATSH - Gjergji Mima/ - Oktapodi gjerman Paul, që i ka çuditur të gjithë me parashikimet tepër të sakta për të gjitha ndeshjet ku luante Gjermania, duket se këtë herë ka tradhëtuar besimin e tifozave gjermanë.
Bëhet fjalë për një krijesë nënujore, që njihet si orakulli i Botërorit 2010 dhe me të drejtë, pasi zgjedhjet e tij kanë dhënë rezultatin e pritur. Oktapodi Paul parashikoi humbjen e Gjermanisë me Serbinë, fitoren me Anglinë dhe më pas me Argjentinën.
Në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme Gjermani-Spanjë, ata që besojnë tek zgjedhjet e tij i janë drejtuar sërish. Por ndoshta kanë mbetur të zhgënjyer, sepse Paul, edhe pse jeton në Gjermani, ka zgjedhur si fituese të gjysmëfinales, skuadrën kundërshtare, Spanjën.
Parashikimi i fundit i Paul shokoi tifozët gjermanë, të cilët u lumturuan kur panë se zgjedhja e tij e parë ishte kutia me flamurin e Gjermanisë. Por oktapodi u rikthye menjëherë tek kutia spanjolle.
Oktapodi telepatik është bërë i famshëm për parashikimet e tij që në Euro 2008, ku i vetmi gabim ishte në ndeshjen finale dhe fitoren ia faturoi Gjermanisë./n.m/