English

Doris Pack: Serbët, të mos manipulohen nga Beogradi

Bruksel, 6 Korrik, NOA – “Serbët e veriut të Kosovës nuk guxojnë të besojnë në premtimet se Mitrovica, nëse vazhdimisht bën probleme, në fund do të ndahet nga Kosova, thotë anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack.

“Ajo që në minimum do të jetë e domosdoshme, është që Beogradi të vendosë raporte normale me Prishtinën, që kufiri të jetë i kalueshëm e i butë dhe që njerëzit nga anët e ndryshme të mos konsiderohen si armiq”.

Si e komentoni situatën në Kosovë, pas incidenteve të fundit, e veçanërisht pas eksplodimit të së premtes? Serbët nga veriu i Kosovës nuk duhet të lejojnë që Beogradi të manipulojë me ta dhe as që guxojnë të besojnë në premtimet se Mitrovica, nëse vazhdimisht bën probleme, në fund do të ndahet nga Kosova. Kjo nuk do të ndodhë. Në vend që t’i përmbushin urdhrat e goditjes së sistemit në Prishtinë, do të ishte e mençur që të pranojnë të jetojnë në paqe me të tjerët, pasi kjo është vendlindja e tyre e vetme. Bashkësia ndërkombëtare është në vendin e ngjarjes, por ajo nuk mund të bëjë asgjë nga ajo që aktualisht po bën. Kuptohet se do të japin çdo gjë të mundshme për t’i zënë përgjegjësit për kryerjen e akteve të dhunës dhe për t’i nxjerrë ata para drejtësisë. Përcaktimi i bashkësisë ndërkombëtare është që ta mbështesë decentralizimin - kjo është ajo që qeveria në Prishtinë po e bën, kështu që në mjediset ku serbët janë bashkësi shumicë, ata vendosin. Kjo do të mund të ishte edhe zgjidhje për Mitrovicën, por disave nuk u përgjigjet. Dhe, për këtë arsye, po përpiqen që me akte individuale të terrorit, të mbjellin frikë, në mënyrë që një projekt i tillë të mos realizohet. Lidhur me integrimin evropain të Serbisë shtrohet pyetja e pashmangshme: A do të duhej Beogradi ta njohë Kosovën, kur t’i afrohet koha për anëtarësim në Bashkimin Evropian? Ajo që në minimum do të jetë e domosdoshme, është që Beogradi të vendosë raporte normale me Prishtinën, që kufiri të jetë i kalueshëm e i butë dhe që njerëzit nga anët e ndryshme të mos konsiderohen si armiq. Raporte të tilla mund të vendosen pavarësisht se a njihet Kosova si shtet apo jo. Por, nëse raportet mbesin të tilla çfarë janë tash, vështirë se Beogradi do të kualifikohet për të hyrë në klubin evropian. Pra, njohja shtetërore, besoj se nuk do të vendoset si kusht, por vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore gjithsesi po. Gjermania hapur thotë se, pasi Kroacia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, do të pasojë një pushim i gjatë dhe se të gjitha vendet e tjera të rajonit do të duhej të presin...

Kjo nuk është asgjë e re dhe Gjermania vetëm e thotë atë që është e vërtetë. Pra, e vërteta është kjo: kur vendi bëhet kandidat dhe i fillon negociatat, ky proces zgjat së paku pesë vjet. Në këtë mund të bindeni në të gjitha rastet e mëparshme. Kroacia i ka filluar negociatat para shumë vitesh, ndërsa anëtare ndoshta do të bëhet në vitin 2012. Pra, koha e mbetur duhet të shfrytëzohet për plotësimin e kushteve për pranim në BE, ashtu që sistemi i ligjeve, i cili aktualisht ekziston në Bashkimin Evropian, të përfshihet edhe në normat e vendit kandidat. Kjo nuk mund të arrihet brenda natës. Sikur edhe me Kroacinë, ky proces ka zgjatur shumë edhe me vendet e tjera, prandaj është normale të thuhet se pas pranimit të Kroacisë, do të pasojë pauzë. Por, pauza bëhet për shkak se vendet e rajonit nuk janë të përgatitura. Thuhet se Bashkimi Evropian i është kthyer vetvetes dhe se është i lodhur nga zgjerimi i mëtejmë. A është kjo e vërtetë? Kjo nuk është e vërtetë. Nëse mediat për këtë temë raportojnë kështu, kjo nuk do të thotë se është e vërtetë. Ne kemi një procedurë të qartë, një orar të qartë për secilin vend të rajonit. Prandaj, askujt nuk i shërben dhe nuk ka kurrfarë dobie tregimi, sipas të cilit, Bashkimi Evropian është i lodhur nga zgjerimi. Brukseli e vazhdon punën e tij dhe komisionari për zgjerim rregullisht e përcjell dhe e vlerëson progresin e secilit vend të rajonit në rrugën për në BE, me ç’rast edhe jep ndihmë në këtë rrugë. Këto janë fakte. Pra, duhet të ndalen tregimet për lodhjen e Bashkimit Evropian. Shtetet e rajonit vetë janë përgjegjëse për shpejtësinë, me të cilën hyjnë në BE. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, para disa ditësh, tha se BE-ja duhet qartazi të thotë se a dëshiron apo jo, që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE. Tash presidenti i BE-së, Van Ropmuy, është në rajon. A shihni këtu ndonjë lidhshmëri? Jo, këtu nuk shoh kurrfarë ndërlidhshmërie. Zoti Van Rompuy e bën punën e tij, e ai në atë post erdhi para një kohe të shkurtër. Kuptohet se vizita e tij e parë nuk ka mundur të jetë në Ballkanin Perëndimor. Si president i BE-së, ai ishte i zënë me reagime për situata shumë më të vështira. Dihet se në Evropë tash kemi një krizë serioze dhe ai nuk ka mundur të largohet nga Brukseli. Konsideroj se është e jashtëzakonshme që ai gjendet në vizitë në Ballkanin Perëndimor, pasi kjo është konfirmim i orientimit të fortë të Bashkimit Evropian – prandaj nuk e kuptoj deklaratën e Tadiqit – që në radhët e veta t’i pranojë vendet e këtij rajoni, posa t’i plotësojnë kushtet e duhura. Pra, me fjalë të tjera, topi është në oborret e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Serbisë, ajo përfundimisht duhet ta dorëzojë Mlladiqin dhe me këtë ta kapërcejë pengesën më të madhe për pjatim të sinqertë në rajon. Këtë të diel, shënojmë 15-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë e ai është ende në liri. Pra, Serbia duhet ta plotësojë këtë kusht. Kuptohet, edhe Kroacia duhet t’i plotësojë obligimet e tjera. Secili vend i Ballkanit Perëndimor, prej samitit të Selanikut, e ka garancën se do të bëhet anëtar i BE-së. Prandaj, është e tepërt që vazhdimisht të na përkujtojnë atë për të cilën BE-ja është obliguar.

Radio Europa e Lirë

KOMENTE