Durres: Largohen Nga Banesat, Shpallen Ne Kerkim
DURRES, 6 korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Forcat e policisë së Durrësit kanë shpallur në kërkim një vajzë 15-vjeçare si dhe një grua 34-vjeçare, të cilat janë larguar nga banesat e tyre në Durrës dhe në fshatin Shkallnuer.
Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur për ATSH-në se largimi i 15-vjeçares Majlinda Cara është denoncuar mbrëmjen e kaluar nga familjarët e saj me banim në lagjen e Shkozetit. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe familjarët e 34-vjeçares Edlira Ganaj, lindur dhe banuese në fshatin Shkallnuer, 8 km larg qytetit të Durrësit, të cilët kanë njoftuar gjithashtu se gruaja ishte e divorcuar prej disa vitesh.
Forcat e policisë po punojnë në bashkëpunim me familjarët për rikthimin e tyre në shtëpi. /a.ke/