English

Durrës: Ushtria, Urë Mbi Erzen Për Banorët E Rrushkullit Dhe Katundit Të Ri

DURRËS, 6 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Banorët e fshatrave të komunës së Katundit të Ri dhe të Rrushkullit (Sukth) do të jenë më pranë njëri- tjetrit falë një ure të tipit Beili, që forcat ushtarake të xhenjos kanë ngritur gjatë dy javëve të fundit mbi lumen Erzen. Gjatë ceremonisë së zhvilluar sot në fshatin Jubë, 18 km larg Durrësit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, vlerësoi se vendosja e urave të komunikimit njerëzor mes ushtrisë dhe komuniteteve, duhet të forcohet akoma më shumë, duke realizuar kështu më shumë punë dhe detyra në të ardhmen. Kjo është një urë e vogël, tha ministri i Mbrojtjes, duke theksuar se ajo është një simbol i raportit shumë të mirë mes popullsisë dhe forcave ushtarake si dhe përbën një tregues se Shqipëria po bëhet një vend gjithnjë e më i bukur, më i dashur dhe më i mirë për të jetuar. Duke falenderuar forcat ushtarake që bënë të mundur ngritjen e urës Beili ministri Imami tha se aktiviteti i tyre është shtrirë në të gjithë vendin me qëllim që të kontribuojnë në interes të komunitetit, si në parandalimin e mënjanimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, ashtu edhe në ndërtimin e urave, pastrimin apo hapjen e rrugëve të reja apo në pastrimin e zonave të plazheve. Z. Imami nënvizoi kontributin e dhënë nga forcat tona ushtarake gjatë përballimit të emergjencave të shkaktuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës në dimrin që kaloi. Sipas ministrit të Mbrojtjes, bashkëpunimi mes ushtrisë dhe komuniteteve, mundëson realizimin e disa planeve të tjera të rëndësishme, siç është ai i demilitarizimit dhe demontimit të municioneve të tepërta. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Gjeneral brigade Maksim Malaj, gjeneralë dhe ushtarakë të FA-së, drejtues të pushtetit lokal, etj. Ndërtimi i urës me gjatesi 114 metra mbi lumin Erzen u realizua brenda tre javësh nga forcat e Batalionit të Xhenios./s.s./
KOMENTE