English

Formimi I Mësuesve Në Përputhje Me Kërkesat E Shoqërisë Së Dijes

-Intervistë me këshilltarin e Kryeministrit për Arsimin, Prof. Dr. Bardhyl Musai - TIRANË, 6 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/.- Modeli i ri i formimit të mësuesve përputhet me zhvillimet në arsimin shqiptar, me dimensionin europian të arsimit, objektivat Lisbonë 2010, por edhe me ato më të fundit të Strategjisë EUROPA 2020. Këshilltari i Kryeministrit për arsimin, Bardhyl Musai, në një intervistë me ATSH-në, tha se sistemi i përgatitjes dhe i trajnimit e kualifikimit të mësuesve, duhet t'i përgjigjet kërkesave të kohës dhe zhvillimit perspektiv. Përvoja e shkurtër e zbatimit të modelit të unifikuar të përgatitjes së mësuesve, sipas Musait, dëshmon se politikat u bënë në drejtimin e duhur, "por tashmë kërkohen të bëhen ende ndryshime më të thella e konceptuale drejt modelit me tipare dhe dimensione europiane". Sistemi ynë i arsimit të lartë, vlerësoi Musai, në përgjithësi është bërë mjaft dinamik, si rezultat e zhvillimit të shpejtë dhe i kërkesave që burojnë nga proceset integruese, por edhe si rezultet i rritjes së ndërgjegjësimit qytetar për cilësi më të mirë të shërbimit arsimor, si një e mirë publike. "Pa mohuar aspak punën e bërë deri tani, por duke e vlerësuar këtë proces si të vështirë dhe që nuk mund të realizohet njëherazi, por gradualisht, modeli i ri që propozojmë është një hap përpara drejt modernizimit të përgatitjes së mësuesve në të dy ciklet e studimeve, është një përafrim drejt modeleve më të përparuara europiane". Lëndët, vijoi ai, janë të konceptuara mbi bazë modulesh, ashtu si edhe më parë. Modulet do të jenë të ndërtuara mbi konceptin e krijimit të njohurive të reja, të diskutimit të pikëpamjeve të ndryshme, të paraqitjes së argumenteve e provave, për ta bërë më tërheqës zhvillimin e mësimit. Kjo do të synojnë që studenti të kryejë më shumë detyra gjithëvjetore dhe të vijë në auditor për të diskutuar dhe jo për të riprodhuar ato që janë dhënë në leksion, libra dhe në materiale të tjera të shtypur apo në formë elektronike. -Risitë e modelit të ri të formimit të mësuesve Në ciklin e dytë të studimeve Master është përcaktuar futja e një disipline minore, shtesë. Kjo, sipas Musait, bëhet me qëllim zotërimin e më shumë kompetencave lëndore të mësuesve të ardhshëm, duke iu përshtatur nevojave të shkollave të madhësive të ndryshme. "Të gjithë mësuesit është e domosdoshme të pajisen me metodologjitë e kërkimit dhe të hulumtimit, pasi përmirësimi i vazhdueshëm i rezultatetve të punës së tyre do të arrihet kur ata të jenë në gjendje të zbatojnë kërkimin në klasat ku japin mësim", tha Musai. Prandaj, sipas tij, do të funksionojë lënda e kërkimit shkencor që në vitin e parë të studimeve Bachelor për mësuesit e ciklit fillor, dhe të studimeve të ciklit të dytë Master për mësuesit e shkollës së mesme të ulët dhe të mesme të lartë. Një risi tjetër, sipas z. Musai, është edhe shtimi i lëndës së komunikimit dhe të teknologjisë së informacionit për të gjitha kategoritë e mësuesve. Komunikimi, teknikat e prezantimit dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit, ose dixhitale, janë zhvillime të viteve të fundit të kurrikulave universitare në fakultetet e edukimit si dy nga dhjetë shprehitë bazë të shoqërisë së dijes. "Do të bëhet edhe institucionalizimi i praktikës shkollore, pedagogjike, përmes marrëveshjeve me Drejtoritë arsimore dhe përcaktimi i shkollave dhe i mësuesve për zhvillimin dhe udhëheqjen e praktikës", theksoi Musai, sipas të cilit, praktika për mësimdhënien është elementi kryesor që në strukturën e re është më e vlerësuar se deri tani dhe është më shumë e shtrirë në kohë. Modeli i ri i formimit të mësuesve parashikon ngritjen e qendrave të ekselencës për mësimdhënien dhe të nxënët, të cilat kanë për qëllim përgatitjen e studentëve më shprehi për mësimdhënien, por edhe për zhvillimin e veprimtarive të trajnimit dhe të kualifikimit të mësuesve. Veprimtaria e këtyre qendrave, sipas Musait, do të përqendrohet në zhvillimin e shprehive të mësimdhënies dhe inovacionit në edukim, në mënyrat dhe praktikat e zhvillimit profesional të mësuesve, në rikonceptualizimin e partneritetit me shkollën. -Partneriteti me shkollën dhe institucionet e tjera arsimore Për të gjitha institucionet e arsimit të lartë shtrohet kërkesa e lidhjes me tregun e punës dhe e vendosjes së partneritetit me shkollën dhe institucionet e tjera arsimore. Përgatitja fillestare e mësuesve, shpjegoi Musai, është e lidhur ngushtë me realitetin e shkollës dhe të klasës dhe që të jetë sa më pranë këtij realiteti, programi i studimit Master përmban praktikën shollore të mësimdhënies si një element kryesor në përgatitjen profesionale dhe pajisjen me shprehitë për mësimdhënien. Ndryshe nga më parë, studimet në shumë vende të Bashkimit Europian dhe të Amerikës së Veriut kanë dëshmuar se njohja e studentëve me shkollën dhe nxënësit duhet të nisë që me fillimin e studimeve. Pothuaj në të gjitha vendet e Bashkimit Europian kjo përgatitje është emërtuar si procesi i zhvillimit të vazhdueshëm profesional, duke filluar me studimet për përgatitjen fillestare ku ka trajnime dhe kualifikime. Pikërisht, për ta bërë funksional këtë partneritet dhe për të siguruar vazhdimësinë në formimin e mësuesve gjatë gjithë jetës, Musai tha se do të ngrihen në çdo fakultet edukimi qendrat e ekselencës për mësimdhënien. Ato do të shërbejnë për përgatitjen profesionale të studentëve, ku pjesë e tyre është edhe shkolla ku zhvillohet praktika, ndryshe e quajtur ushtrimore, bëhet përgatitja e mësuesve mentorë dhe zhvillohen trajnimet në shërbim të mësuesve dhe veprimtari kualifikuese./s.s./
KOMENTE