English

Gjenden 6 parcela të mbjella me 340 rrënjë kanabis, ndalohet kryeplaku i fshatit

Pukë, 6 Korrik, NOA – Kryeplaku i një fshati në rrethin e Pukës është vënë në pranga nga forcat e policisë, sepse ndërsa ka deklaruar që në zonën e tij nuk kishte bimë narkotike të kultivuara, janë konstatuar 6 parcela të mbjella me kanabis sativa.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kçir të Pukës, ndërsa i ndaluari mësohet se mban emrin Preng Vukaj, vjeç 59, lindur dhe banues i këtij fshati me detyrën kryeplak i tij.

Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur lagjja “Vnezë” e fshatit Kçir, janë gjetur 6 parcela të mbjella me gjithsej 340 rrënjë, me bimën narkotike kanabis sativa.

Ato janë shkulur dhe asgjësuar menjëherë me anë të zjarrit nga forcat e policisë së Pukës, ndërsa kryeplaku i fshatit u mor nën hetim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Nga ana e policisë u kryen veprimet e duhura proceduriale, ndërsa materialet në ngarkim të personit në fjalë iu kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së Pukës.

n.e/NOA

KOMENTE