Gjirokastër, 6 Korrik, NOA – Në një banesë të improvizuar për hotel të Gjirokastrës, kishte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, në gjurmë të të cilës kanë rënë forcat e policisë duke mundësuar edhe sekuestrimin e saj.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA duke bërë me dijeni se ishin konkretisht 5 kilogramë lëndë narkotike, si edhe 100 euro dhe një celular, mjetet e sekuestruara në vendngjarje, ndërsa është ndaluar edhe personi i dyshuar si pronar i kësaj lënde.
Konkretisht, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë të improvizuar, në pronësi të personit me iniciale u gjet një çantë shpine ku brenda saj kishte disa pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, të mbështjella në 5 pako me letër natriban, nga 1 kg secila.Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se lënda narkotike i përkiste personit, i cili ishte klient në këtë hotel, Roland Tosuni, 28-vjeç, lindur dhe banues në Libohovë të Gjirokastrës, i cili lëndën narkotike do ta tregtonte në rrethe të tjera si Fier apo Tiranë.
Gjithashtu, mësohet se ai një natë më parë i kishte vjedhur një personi nga Fieri që kishte fjetur në këtë hotel, 100 euro dhe një celular, të cilat iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Tosuni u arrestua në flagrancë për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” si dhe të “Vjedhjes”, vepra këto të parashikuara nga nenet 283 e 134 të Kodit Penal, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA