English

Hyseni Në Këshillin E Sigurimit: "Hetimi Për Shpërthimin Në Mitrovicë Është Duke Përparuar

" PRISHTINË, 6 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, theksoi sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se hetimi lidhur me shpërthimin e ditës së premte në Mitrovicë, ku humbi jetën një shtetas dhe u plagosën dhjetë të tjerë, është duke përparuar. Këshilli i Sigurimit i OKB-së sapo përfundoi një seancë të kërkuar nga Serbia pas shpërthimit në veri të Mitrovicës fundjavën e kaluar, ndërsa po zhvillohej një protestë e rreth njëmijë serbëve kundër hapjes së Zyrës së Qeverisë së Kosovës në "Lagjen e Boshnjakëve", e banuar me shqiptarë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, pjesëmarrës në seancë, tha se rreth kësaj ngjarje "hetimi është duke përparuar", po se nuk dëshironte të fliste për detajet e hetimeve, ndërsa i ka quajtur të çuditshme pretendimet serbe se "secesionitët e terroristët shqiptarë kanë gjuajtur bomba", pa pasur mbështetje në hetime. "Ajo që mund të them është se ato granata dore ka shumë mundësi të jenë gjuajtur nga vetë protestuesit, nga vetë turma", tha Hyseni, por pa dashur të paragjykojë rezultatin e hetimeve që vazhdon. Ministri i Jashtëm kosovar i është kundërpërgjigjur kështu Presidentit serb, Boris Tadiç, i cili ka folur para tij. Në Seancën e Këshillit të Sigurimit kanë folur edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, dhe shefi i misionit evropian në Kosovë, EULEX, Yves de Kermabon, i cili përveç rrjedhës së ngjarjes foli për kërcënimet që ekipi i EULEX-it ka marrë nga ekstremistët serbë. Kermabo tha se hetimet po bëhen nga Policia e Kosovës me ndihmën e EULEX-it. Ndërkohë, Hyseni para Këshillit të Sigurimit prezantoi përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t'i integruar të gjitha bashkësitë etnike, duke respektuar shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut. Hyseni nënvizoi faktin se politika e Beogradit po punon kundër stabilitetit të Kosovës e rajonit dhe, para së gjithash, kundër vetë serbëve të Kosovës./s.s./
KOMENTE